Komandanti i përgjithshëm i Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi tha të martën se forcat e tij ishin tërhequr në periferi të qytetit Maryinka, një ditë pasi Moska pretendoi kontrollin e plotë të qytetit kyç.
“Ne jemi zhvendosur tani në periferi të Maryinka, dhe në disa vende tashmë përtej kufijve të vendbanimit”, u tha ai gazetarëve në Kiev.
Maryinka është afër qytetit kryesor të Donetskut të kontrolluar nga Rusia në Ukrainën lindore.
“Ne mbrojmë çdo pjesë të tokës sonë, por jetët e ushtarëve tanë janë më të rëndësishme për ne”, tha Zaluzhnyi.
Ai tutje shtoi se qyteti “nuk ekziston më” pasi u shkatërrua “rrugë më rrugë” nga rusët.
Ndërsa për lëvizjen e trupave komandanti tha se kjo nuk ka asgjë që mund të shkaktojë një protestë publike, raporton The Moscow Times, transmeton Klankosova.tv.
Ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu të hënën kishte thënë se forcat ruse kishin kapur “plotësisht” Maryinka.
Ai këtë e tha duke folur me presidentin rus Vladimir Putin, i cili e përgëzoi ministrin për këtë.
“Ky është një sukses që u jep trupave ruse mundësinë për të lëvizur në një zonë më të gjerë operacionale”, tha presidenti rus.
Por Oleksandr Shtupun, një zëdhënës i ushtrisë së Ukrainës, tha të hënën se ishte “e pasaktë” të pretendohej se Maryinka kontrollohej plotësisht nga forcat ruse.