Ushtria izraelite të martën urdhëroi banorët e Qytetit të Gazës të evakuohen përpara një ofensive të re për të pushtuar qendrën më të madhe urbane të enklavës, pjesë e një pushtimi të planifikuar që ngjall alarm ndërkombëtar mbi fatin e të gjithë territorit.
Sipas mediave të huaja, marrja nën kontroll e qytetit të një milion palestinezëve ndërlikon përpjekjet për armëpushim për t’i dhënë fund luftës gati dyvjeçare, ndërsa kryeministri Benjamin Netanyahu ndjek planin e tij për të pushtuar dy fortesat e mbetura të Hamasit.
Netanyahu tha se Izraeli nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të përfundonte punën dhe të mposhtte Hamasin, duke pasur parasysh se grupi militant palestinez kishte refuzuar të linte armët.
Hamasi tha se nuk do të çarmatosej nëse nuk krijohet një shtet i pavarur palestinez.
Kritikët ndërkombëtarë thonë se plani i Izraelit, i cili përfshin demilitarizimin e të gjithë rripit ndërsa Izraeli merr kontrollin e sigurisë mbi të, mund të thellojë gjendjen humanitare të popullsisë prej 2.2 milionë banorësh, e cila po përballet me një rrezik kritik të urisë.
Përpjekjet e ndërmjetësimit nga Shtetet e Bashkuara, Katari dhe Egjipti kanë dështuar të kapërcejnë hendeqet midis Izraelit dhe Hamasit në mënyrë që të sigurojnë një armëpushim dhe lirimin e pengjeve të mbetura që Hamasi mban në Gaza.
Izraeli kishte marrë tashmë kontrollin e 75 përqind të Gazës që nga fillimi i luftës me sulmin ndërkufitar të Hamasit më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe 251 u morën peng në Gaza, tregojnë të dhënat izraelite.
Autoritetet izraelite thonë se 20 nga 48 pengjet e mbetura në Gaza janë gjallë.
Sulmi i mëvonshëm ushtarak i Izraelit ka vrarë mbi 62,000 palestinezë, thotë ministria e shëndetësisë e Gazës, duke zhvendosur brenda vendit pothuajse të gjithë popullsinë dhe duke lënë pjesën më të madhe të territorit në rrënoja.