Ushtria e Sudanit paralajmërohet që të mos formojë qeveri të njëanshme

Pas dorëheqjes së kryeministrit të Sudanit, Abdullah Hamdok, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar liderët ushtarakë në kryeqytetin Kartum, që të mos emërojnë kryeministër dhe kabinet në mënyrë të njëanshme.

Vendet “nuk do të mbështesin një kryeministër apo qeveri të emëruar pa përfshirjen e palëve të interesuara civile”, është thënë në një deklaratë të përbashkët të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Norvegjisë.

Ato kanë thënë se edhe ndihma ekonomike për Sudanin varet nga kjo gjë.

“Ne presim që të punojmë me një qeveri dhe parlament për periudhë tranzicioni, e cila gëzon besimin e popullit të Sudanit dhe mund të çojë shtetin drejt zgjedhjeve të lira dhe të drejta”.

Në deklaratë është thënë po ashtu se fuqitë perëndimore vazhdojnë të mbajnë përgjegjëse autoritetet ushtarake “për shkeljen e të drejtave të njeriut, të cilat janë kundër legjislacionit aktual kombëtar, ashtu sikurse ligjit ndërkombëtar”.

“Duhet të mbrohet e drejta e popullit për t’u mbledhur në mënyrë paqësore dhe për të shprehur kërkesat e tyre”.

Hamdok ka dhënë dorëheqje të dielën, pas disa javëve të protestave të përgjakshme kundër Qeverisë dhe tensioneve me udhëheqës ushtarakë.

Hamdok është rrëzuar nga pushteti përmes një puçi ushtarak në tetor të vitit 2021, mirëpo më vonë është kthyer, pas presionit brenda dhe jashtë shtetit.

Në këtë vend ka pasur protesta të vazhdueshme kundër pjesëmarrjes së ushtrisë në Qeveri, të cilën e ka udhëhequr Hamdok, lider civil.