Ushtria e Shqipërisë vendoset në Kukës, e gatshme për të ndihmuar Kosovën pas përmbytjeve (VIDEO)

Trupat dhe mjetet e Forcave të Armatosura të Shqipërisë janë dislokuar në Kukës, ku janë vënë në gjendje gatishmërie për t’i mbështetur disa nga komunat e Kosovës të cilat janë prekur nga vërshimet e fundit në vend.

Ky informacion vie nga një njoftim i ministrit të Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, i cili tha se janë të gatshëm për ndërhyrje në rast se përkeqësohet situata.

“Forca dhe mjete nga FA janë dislokuar në Kukës, në gatishmëri për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur nga përmbytjet si pasojë e reshjeve të dendura ditët e fundit. Të gatshëm të ndërhyjmë në koordinim me autoritetet e Kosovës, në rast të përkeqësimit të situatës”, është shprehur Peleshi.

Tutje, Peleshi ka thënë se “vëllezërit tanë në ditë të mira dhe të vështira” drejtuar shqiptarëve të Kosovës.

Ndërsa lidhur me këtë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shkruar “Trupat dhe mjetet tona të Forcave të Armatosura, për të mbështetur banorët e disa prej komunave në Kosovë, të cilat janë prekur shumë rëndë nga përmbytjet, si pasojë e reshjeve të jashtëzakonshme”, duke bashkangjitur videon e ushtrisë./Gazeta10