Ushtria e Nigerisë vret gabimisht 16 civilë

Të paktën 16 civilë që duket se janë ngatërruar me bandat kriminale, janë vrarë në shtetin veriperëndimor të Nigerisë, Zamfara, në një sulm ajror ushtarak.

Banorët u kanë thënë mediave lokale se viktimat ishin anëtarë të grupeve lokale vigjilente dhe civilë që mbroheshin nga bandat e armatosura të njohura për rrëmbimin e njerëzve për shpërblim, raporton BBC.

Sulmet kishin në shënjestër bandat militante në zonat Zurmi dhe Maradun. Guvernatori i shtetit, Dauda Laëal, i ofroi ngushëllimet e tij komunitetit.

Ushtria ka pranuar kryerjen e sulmeve ajrore, për të cilat ka thënë se i kanë dhënë “një goditje vendimtare banditëve që terrorizonin fshatrat në zonë”.

“Ndërsa operacioni eliminoi me sukses disa banditë dhe çoi në rikthimin e disa viktimave të rrëmbimit, NAF i sheh me shqetësim të madh raportet për humbjen e jetëve të civilëve gjatë operacionit”, thuhet në një deklaratë.

Vitet e fundit, forcat e sigurisë të Nigerisë kanë luftuar bandat e fuqishme kriminale, të njohura si banditë, të cilët kanë terrorizuar shtetet veriperëndimore dhe qendrore. Banditët bastisin fshatrat, djegin shtëpitë dhe vrasin dhe rrëmbejnë banorët për shpërblim.

Disa sulme ajrore aksidentale kanë ndodhur muajt e fundit duke përfshirë një sulm në ditën e Krishtlindjes që vrau të paktën 10 civilë në shtetin fqinj Sokoto.

Në vitin 2023, të paktën 85 civilë, kryesisht gra dhe fëmijë, që merrnin pjesë në një tubim fetar mysliman në një fshat në shtetin Kaduna u vranë pasi u ngatërruan me banditë.

Në janar 2017, të paktën 112 njerëz u vranë kur një avion goditi një kamp që strehonte 40,000 njerëz që ishin zhvendosur nga dhuna xhihadiste në një qytet afër kufirit me Kamerun.