Ushtria amerikane thotë se e ka rivendosur bllokadën e saj detare ndaj porteve iraniane si kundërpërgjigje ndaj sulmeve të Iranit ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit.
Të paktën 19 luftanije amerikane ndodhen në pjesën veriore të Detit Arab, përfshirë dy aeroplanmbajtëse dhe një anije sulmuese amfibe me mbi 1.000 marinarë për ta zbatuar bllokadën, raporton agjencia “Associated Press”.
Komanda Qendrore e ShBA-së gjithashtu tha se janë “qindra aeroplanë ushtarakë që janë duke operuar në mbarë Lindjen e Mesme”.
Ushtria amerikane gjithashtu njoftoi për sulme të reja kundër Iranit vetëm një orë para fillimit të bllokadës detare.
Sipas një shkrimi të publikuar nga Komanda Qendrore në rrjete sociale, ushtria po “vazhdon t’i degradojë kapacitetet iraniane të përdorura për t’i sulmuar anijet tregtare”.



