Ushtarë amerikanë dhe gjermanë të KFOR-it patrullojnë përgjatë vijës kufitare

Ushtarë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë, të caktuar në Komandën Rajonale Lindje të KFOR, kanë kryer patrullime këmbësorie përgjatë kufirit të Kosovës.

Qëllimi i këtyre patrullimeve është garantimi i lirisë së lëvizjes dhe ruajtja e një ambienti të sigurt për të gjitha komunitetet.

Sipas një njoftimi nga KFOR-i, trupat e këtij misioni zhvillojnë patrullime të përditshme nëpër disa komuna të Kosovës, si pjesë e angazhimit për të mbajtur stabilitetin në rajon.

“Qoftë në mënyrë të pavarur apo në bashkëpunim me partnerët tanë të reagimit të sigurisë, KFOR mbetet i përkushtuar ndaj misionit të tij”, thuhet në deklaratë.

KFOR thekson se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si forca të reagimit të sigurisë.