Urrejtja si strumbullar i veprimit tonë shoqëror

Arbër Çeliku

Njeriu i paformuar e urren atë, së cilës i trembet.
Dikush nga ju, të dashur lexues, mund ta vërë logjikisht në mëdyshje këtë pohimin tim, duke analizuar rrethanat tona shoqërore-politike: “Po ka shumë edhe nga klasa intelektuale që urrejnë, edhe até në mënyrë patetike”. Gjithsesi, por vetëm një diplomë a titull universitar s’ka të bëjë asgjë me formimin, me nivelin qytetërues të një individi. Dhe sa më nopran, më i paformuar dhe më i prirë për të urryer të jetë një individ, aq më i përshtatshëm për partitë politike, klanet dhe grupacionet e caktuara të interesit.
Kësisoj, urrejtja ndaj tjetrit ndryshe, qoftë në konceptimin e botës, bindjeve politike a fetare, nuk bazohet në epërsi dhe fuqi, por në pasiguri dhe dobësi.
Një individ, parti politike a popull, që është mbi nivelin e tjetrit, ndien dhimbje për të dhe kurrë nuk mund ta urrejë.
Dhe, gjithë kjo urrejtje që e kemi akumuluar ne në demokraci, dëshmon qartë për nivelin tonë të ulët të formimit dhe perceptimit, për më tepër, për pasigurinë dhe dobësinë tonë kolektive si shoqëri…