Shkruan: Sefer TAHIRI
Nuk është çudi aspak që stadiumet e futbollit, por edhe sporteve tjera shfrytëzohen si arenë për shfaqjen e paragjykimeve dhe stereotipeve etnike. Ky konstatim del që nga analiza tekstuale e emërtimit të dy grupeve kryesore të tifozëve: “Komitët” dhe “Ballistët”! Emërtime luftarake në të dyja anët!
Ballist do të thotë anëtar i “Ballit Kombëtar”, organizatë politike, që bashkonte rryma të ndryshme në kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, e cila kishte program nacionalist dhe e cila bashkëpunoi me pushtuesit fashistë e nazistë.
Komit do të thotë pjesëtar i luftës çlirimtare të Organizatës së Brendshme Revolucionare Maqedonase (VMRO), e cila ka funksionuar midis viteve 1919-1934 dhe e cila ka pasur qëllim arritjen e autonomisë apo pavarësisë së Maqedonisë përkatësisht më vonë krijimin e shtetit të pavarur maqedonas.
Në stadiume, zëshëm, me jehonë të madhe brohoriten thirrje me motive etnocentrike, por edhe nxitëse për dhunë dhe urrejtje etnike! Themi jo vetëm në stadiume, sepse urrejtja etnike në Maqedoninë e Veriut, tash e 35 vite, por edhe më herët në komunizëm kultivohet edhe në institucionet e shtetit. Kultivohet, promovohet dhe afirmohet edhe në debatet politike, arsim, sidomos në tekstet shkollore, në diskursin shkencor, i përforcuar me hartimin e Enciklopedisë maqedonase, media, sidomos në portale, kulturë dhe art, sidomos në atë muzikor folklorik e në sfera tjera.
Më 21 shkurt të vitit 2026, “Komitët” në ndeshjen mes Vardarit dhe klubit “Bashkimi” nga Kumanova u brohoritën thirrje antishqiptare. Përfaqësuesit e “Bashkimit” e ndërprenë ndeshjen pasi thirrjet nuk ndaleshin, ndërsa gjyqtari Benjamin Kerimi mbrojtësit të Bashkimit, Rexhep Murati i ndau karton kuq, me arsyetimin se gjoja ky i fundit e ka pështyrë.
Gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe koalicionit VLEN përveç incidentit të fundit, ku u sulmua Klubi “Bashkimi”, në gusht të vitit të kaluar ndodhi edhe një incident tjetër që përdëfton vrerin nacionalist që ekziston ndaj shqiptarëve!
Si reminishenca të historisë jo të largët të jotolerancës së thellë etnike dhe rikujtim i historisë më të errët të Evropës, në ndeshjen e parakualifikimeve për Kampionatin Botëror të basketbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë u dëgjuan brohoritje me tone fyese ndaj shqiptarëve. Në ndeshjen, e cila u zhvillua në Kumanovë më 2 gusht të vitit 2025 u dëgjua “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër”, Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur” dhe “Dhoma gazi për shqiptarët”. Brohoritje me semantikë identike janë dëgjuar e parë në vitin 1997 në protestat antishqiptare të studentëve kundër Fakultetit Pedagogjik në gjuhën shqipe, ndërsa një pjesë e drejtuesve të protestës së atëhershme janë politikanë të sotëm me reputacion në VMRO-DPMNE: Antonio Milloshoski, Vllatko Gjorçev dhe më herët Filip Petrovski, Nikolla Todorov e të tjerë! I gjithë ky manifestim fashist i urrejtjes antishqiptare në Kumanovë, u shfaq pa asnjë lloj frike në prani të drejtuesve të lartë të shtetit: kryeministrit Hristijan Mickoski, ministrit të Brendshëm, Pançe Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviq dhe kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski. Fakti që në ndeshje, në të cilën shqiptarët as protagonistë nuk janë, por fyhen rëndë është disfatë për shoqërinë, politikën, arsimin, mediat e kështu me radhë, të cilët sektorë nuk kanë bërë sa duhet për çrrënjosjen e urrejtjes antishqiptare, por edhe anasjelltas.
Siç ndodhte gjithmonë gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, edhe lidhur me këtë rast, tani kur qeveris VMRO-DPMNE-ja me VLEN-n ndodh e njëjta. Pa ndryshim! Gjashtë muaj pas incidentit nuk është dënuar askush! Ripërsëritje e praktikës së vjetër, që flet qartë për kultivimin e kulturës juridike së mosndëshkimit. Kur ndodh kjo, me të drejtë themi se rastet e sulmeve verbale dhe fizike ndaj shqiptarëve do të përsëriten.
Njëri nga eksponentët kryesorë të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi duke komentuar incidentin e fundit komentoi duke thënë “Kur në një ndeshje lejohen fyerjet raciste ndaj shqiptarëve dhe kërkohet largimi i flamurit shqiptar, bëhet e qartë se problemi nuk është sportiv, por politik”. Ademi ka shtuar se incidentet e rënda në futbollin tonë nuk janë rastësi, por janë pasojë direkte e mosndëshkimit dhe e inkurajimit të heshtur që u bëhet atyre që shkelin rregullat dhe nxisin urrejtje.
Ka të drejtë, plotësisht ka të drejtë zoti Arbër Ademi, sepse në vendin tonë, me dekada nuk zbatohet parimi i ndëshkimit të atyre që nxisin urrejtje, e që është vepër penale. Dhe kjo nuk ndodh sot, vetëm në vitet kur kemi pushtet pa Bashkimin Demokratik për Integrim, por ndodhte edhe kur integristët kanë qenë në pushtet, por edhe kur Partia Demokratike Shqiptare dhe më herët Partia e Prosperitetit Demokratik kanë qenë në pushtet. Gjithnjë ndodh, vetëm se dallon intensiteti i urrejtjes ndaj shqiptarëve, i cili herë është më i vogël e herë më i madh.
Pak histori të urrejtjes antishqiptare! Më 16 gusht të vitit 2009, rreth 100 huliganë të grupit “Komitët” në një aksion të qartë për pastrim etnik në lagjen Nerez të Shkupit, u futën nëpër shtëpitë e shqiptarëve dhe i sulmuan ata. Nuk kursyen as fëmijët, gratë e as pleqtë. Sipas dëshmive të banorëve, të dhëna për mediat, policia kishte bërë sehir, kishte qëndruar duarkryq dhe në këtë mënyrë ishte bërë vetëm vëzhguese e sulmit! Partitë shqiptare kishin dënuar këtë akt, askush nuk u dënua! Nerezi shtrihet në komunën Karposh, e banuar me shumicë maqedonase!
Atëbotë Lëvizja VETËVENDOSJE, sot partia dominuese në skenën politike kosovare reagoi me komunikatën e titulluar “KOMITËT E GRUEVSKIT”. Në të thuhej se “Nëpërmjet këtyre veprimeve antishqiptare, Maqedonia po tregon qartë se ka zgjedhur rrugën nëpër të cilën ka kaluar Serbia e Milosheviqit. Të gjithë e mbajmë mend kur tifozët “Delije” të Cërvena Zvezdës ishin ata që duke ushtruar urrejtjen e tyre ndaj kroatëve, boshnjakëve e shqiptarëve, më vonë erdhën e u bënë njësi paramilitare të Zhelko Razhnatoviq-Arkanit, të cilat bënin kërdinë mbi popujt joserbë gjatë luftërave të shpërbërjes së ish Jugosllavisë”. Sipas Vetëvendosjes “Ajo që shprehej në sport atëherë ishte pasqyrim i përmbajtjes së regjimit politik hegjemonist: pas Memorandumit të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (1986), ardhjes së Milosheviqit në pushtet (1987) dhe suprimimit të autonomisë së Kosovës (1989), krejt ajo që erdhi më pas, e që shprehej edhe nga turma komitësh e çetnikësh, nuk ishte tjetër veçse shtjella e një procesi të parashikueshëm.
Në fakt kjo edhe ka ndodhur! Sipas një analize të portalit hulumtuese Balkaninsajt “Gjatë luftrave të viteve 1990, klubet e mëdha furnizonin me rekrutë njësitë paraushtarake anembanë ish-Jugosllavisë. Më të njohurit ishin Tigrat, një milici e formuar kryesisht nga huliganët e Yllit të Kuq të Beogradit dhe të drejtuar nga Arkani. Bosët e milicisë së vjetër nga atëherë ose janë vrarë ose janë dërguar në gjykatat e krimeve të luftës, por brezi i ri i Ultrasve ende gëzon famë dhe kthetrat e tij shkojnë përtej futbollit, në shoqëri dhe politikë”.
Gjatë viteve të mëhershme tribunat prej ku pjesëtarët e grupit “Komitët” ndiqnin Vardarin e Shkupit, ekipin e tyre, shpesh mbuloheshin me pankarta në mbështetje të Johan Tarçullovskit, drejtues i dikurshëm i Ultrasve. Tarçullovski organizoi dhe menaxhoi me aksionin famëkeq në fshatin Luboten të Shkupit, ku më 12 gusht të vitit 2001 u vranë dhjetë shqiptarë të pafajshëm. Tribunali i Hagës në korrik të vitit 2005 e dënoi me 12 vjet heqje lirie, por pas 8 vjetësh e la të lirë. Më vonë Tarçullovski u bë deputet i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe njërin ndër eksponentët e VMRO-DPMNE-së.
Edhe pak histori të urrejtjes antishqiptare!
Më 6 mars të vitit 2010 një grup prej rreth 50 huliganëve me gurë dhe me shufra sulmuan fëmijët shqiptarë që kanë bërë patinazh në sheshin e Shkupit. Policia vetëm i ftoi në biseda informative huliganët, askush nuk u dënua.
Në vitin 2011, qeverisja e VMRO-DPMNE-së filloi zbatimin e politikës së simboleve. Realizohej projekti njëetnik dhe njëreligjioz “Shkupi 2014”, i cili ishte “dalldisje” politikaneske me historinë, kulturën, trashëgiminë, por edhe arkitekturën. Ishte një tentim për t’i treguar botës në përgjithësi dhe shqiptarëve në veçanti se antikititeti është vlerë e qenies etnike maqedonasve dhe se në këto hapësira gjithmonë ka mbisunduar dhe do të mbisundojë identiteti fetar ortodoks.
Në vijë të kësaj politike u morr vendimi që në Kalanë e Shkupit të ndërtohet një objekt i ri, i cili nga arkeologu Pasko Kuzman u zbulua se do të ishte kishë. Kaq mjaftoi që grupet tifoze, ai maqedonas “Komitët” dhe “Shvercerët” e Çairit të Shkupit të përlesheshin më 13 shkurt të vitit 2011. Në këtë përleshje aktivisht ishte i përfshirë Artan Grubi, atëherë kryetar i Organizatës Joqeveritare “Zgjohu”, më pas shef kabineti dhe deputet i BDI-së. Grubi në qeverisjen mes BDI-së dhe Lidhjes Socialdemokrate në vitet 2017-2024 ishte zëvendëskryeministër i parë. Ditëve të fundit u rikthye dhe gjendet në paraburgim shtëpiak, pas 14 muajve arratisje, meqë akuzohet për vendimmarrje në qeveri lidhur me biznesin e kumarit apo lojërave të fatit në Maqedoninë e Veriut.
Më 9 dhjetor të vitit 2012 në Shkup, grupi “Komitët”, i shoqëruar nga “Vojvodët” e Tetovës, sërish dëshiruan vdekjen e shqiptarëve. Me të dalë nga tribuna, disa pjesëtarë të dy tifo-grupeve maqedonase kanë sulmuar tre kalimtarë të rastit, shtetas nga Kosova. Policia ndaloi dy persona të dyshuar, por nuk u dënuan. Kush ofendon shqiptarët nuk dënohet! Jo sot, por asnjëherë!
Nerezi nuk është lënë i qetë as në vitin 2013. Më 23 mars të këtij viti, një grup të rinjsh huliganë maqedonas kanë sulmuar prona private, dyqane dhe makina të banorëve shqiptarë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Më 13 prill të vitit 2014 në Radishan të Shkupit një familje shqiptare u sulmua nga aktivistë të VMRO-DPMNE-së, të cilët pas festës së fitores së zgjedhjeve presidenciale hynë në shtëpi, duke sulmuar dhe shkaktuar plagë tek anëtarët e kësaj familje.
Në 17 prill të vitit 2016 në ndeshjen mes Vardarit dhe Shkëndijës në tribunat e stadiumit “Filipi i Dytë”, “Komitët” sulmuan kryesinë e klubit “Shkëndija” nga Tetova dhe një grup tifozësh shqiptar. Menjehërë ka ndërhyrë Policia Speciale dhe i ka ndaluar tifozët e Vardarit, ndërsa kryesia e klubit dhe tifozët shqiptarë janë larguar nga stadiumi.
Një javë më pas, më 24 prill të vitit 2016, “Komitët” fyen me thirrjet “Shqiptari i mirë, shqiptar i vdekur”. Loja nuk u ndërpre dhe si zakonisht askush nuk u ndëshkua.
Të gjitha incidentet e lartpërmendura kanë ndodhur gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së!
Objektivisht nga viti 2017 deri në vitin 2024 pati qetësi relative në relacionet shqiptaro-maqedonase, edhe pse koncepti apo modeli i interkulturalizmit i njohur politikisht si “Shoqëri për të gjithë” dështoi, pasi nuk dha rezultatet e pritura.
Historia e incidenteve dëshmon brishtësinë e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut. Ajo vërtetohet shpesh në realitetin shoqëror dhe reflektohet e shfaqet në mënyrë plastike në stadiume. Mjafton një shkëndije e vogël që të ndez debatin e tensionuar politik e mediatik.
Kështu ka ndodhur që nga pavarësimi i Maqedonisë së Veriut. Ky diskurs i ndarjes etnike vërehet pas pluralizmit, ndërsa kulmoi gjatë konfliktit të vitit 2001 dhe pas tij. Gjuha e urrejtjes më së miri e dëshmon faktin se në Maqedoninë e Veriut me dekada jetojnë dy “botë paralele”. Shqiptarët në botën e tyre, maqedonasit në të tyren!



