Urdhri i Trump për rrëmbimin e Maduros nuk është as i paligjshëm dhe as antikushtetues

Askush nuk u çudit kur demokratët e dënuan në mënyrë refleksive kapjen e guximshme të mesnatës nga Trump të diktatorit venezuelian, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij.

Nëse Joe Biden, i cili kishte ofruar një shpërblim prej 25 milionë dollarësh për arrestimin e Maduros, do të kishte bërë atë që bëri Trump, po këta politikanë do të organizonin një paradë triumfale në rrugë.

Kritikat e tyre ndaj Trump nuk kanë aspak lidhje me ligjin, edhe pse ata pretendojnë të kundërtën. Në të vërtetë, ato burojnë qartazi nga përbuzja e tyre ndaj një presidenti që e urrejnë.

Të zhveshur nga arsyeja, ata kundërshtojnë gjithçka që bën Trump, edhe kur kjo përputhet plotësisht me bindjet që kanë shprehur më parë.

Pothuajse në kor, demokratët e cilësuan veprimin e Trump si “të paligjshëm”, “të pajustifikuar” dhe “antikushtetues”. Shumë prej tyre këmbëngulën se ai ishte i detyruar të kërkonte leje nga Kongresi.

Asnjëra prej këtyre nuk është e vërtetë.

Presidenti fuqizohet nga Kushtetuta e SHBA-së, si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura, për të drejtuar veprime ushtarake me qëllim mbrojtjen e amerikanëve, forcimin e interesave të SHBA-së dhe mbrojtjen e sigurisë kombëtare.

Plaga e drogës që buron nga Venezuela prej kohësh po helmon qytetarët tanë. Qeveria jonë vlerëson se rreth 200–250 tonë kokainë dërgohen çdo vit nga ky vend i Amerikës Latine. Amerika, për shkak të prosperitetit të saj, është një destinacion i preferuar.

Vetëm mbi këtë bazë, ndërhyrja në Karakas ishte e ligjshme, e justifikuar dhe legjitime.

Prej vitesh, Maduro ka udhëhequr kartelin famëkeq ‘Cartel de los Soles’, një kartel i dhunshëm droge i cilësuar nga SHBA si organizatë terroriste e huaj, përgjegjëse për vrasje, tortura dhe krime kundër njerëzimit aq të rënda saqë janë njohur edhe nga Kombet e Bashkuara.

Neni II, Seksioni 2 i Kushtetutës sonë i jep presidentit pushtete të lindura për të urdhëruar njëanshmërisht forcat e armatosura në veprime ushtarake. Autoriteti i tij komandues është suprem dhe ai mund të zhvillojë fushata dhe të urdhërojë operacione sipas gjykimit të tij.

Pa një shpallje formale lufte, presidenti nuk ka nevojë për autorizim paraprak nga Kongresi për të vepruar. Ky parim është i rrënjosur në Kushtetutën tonë dhe është mbështetur nga Gjykata e Lartë e SHBA-së që nga vitet e para të Republikës.

Në kohët më moderne, autoriteti presidencial mbi veprimet e armatosura vetëm është zgjeruar. Çështje që përfshijnë Truman-in, Clinton-in dhe Obama-n e kanë konsoliduar fuqinë e presidentit për të drejtuar operacione ushtarake pa pëlqimin e Kongresit.

Trump kishte çdo të drejtë ligjore dhe kushtetuese të mbronte Shtetet e Bashkuara nga transporti i drogave të paligjshme vdekjeprurëse dhe të arrestonte njeriun më përgjegjës për këtë, i cili ishte i paditur zyrtarisht në gjykatat federale për krime të shumta.

Dhe jo, Trump nuk e shkeli Aktin e Kompetencave të Luftës, siç kanë pretenduar disa nga kritikët e tij. Rezoluta e vitit 1973 parashikon një detyrim raportimi ndaj Kongresit brenda 48 orësh; por ky nuk është një ndalim për të vepruar.

Përkundrazi, kjo nënkupton njohjen e pushtetit të lindur të presidentit për të përdorur forcë ushtarake pa miratim specifik nga Kongresi. Çdo president amerikan e ka bërë këtë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Trump nuk bën përjashtim.

Presidenti ka në dispozicion edhe një autoritet tjetër. “Klauzola e Zbatimit të Ligjit” në Nenin II, Seksioni 3 të Kushtetutës përcakton se presidenti “duhet të kujdeset që ligjet të zbatohen me besnikëri”.

Me fjalë të thjeshta, Trump është i detyruar të sigurojë që të gjitha ligjet federale të zbatohen. Kjo përfshin kapjen, arrestimin dhe ndjekjen penale të të kërkuarve që janë të akuzuar për krime sipas ligjit amerikan dhe që duhet të sillen para drejtësisë.

Arrestimi i Maduros përbën zbatim të ligjit. Vetë fakti që i akuzuari është de facto kreu i shtetit të një vendi tjetër, nuk i jep atij mbrojtje apo imunitet nga krahu i gjatë i ligjit amerikan. Kjo nuk është e shkruar askund.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e përshkroi Maduron si “një i arratisur nga drejtësia amerikane”. Duke pasur parasysh mbrojtjen e tij të armatosur, ishte e nevojshme përdorimi i trupave ushtarake për të realizuar arrestimin. Sipas Trump, “operacioni u krye në bashkëpunim me organet amerikane të zbatimit të ligjit”.

E njëjta gjë ndodhi edhe në vitin 1990, në rrethana pothuajse identike.

Atëherë, presidenti George H. W. Bush urdhëroi ushtrinë të kapte Manuel Noriegën, diktatorin e korruptuar të Panamasë, i paditur për trafik droge dhe rrezikim të qytetarëve amerikanë. Pas një operacioni ushtarak surprizë në kryeqytetin e vendit, ai u arrestua dhe u dërgua në SHBA për t’u gjykuar.

Ekipi ligjor i Noriegës kundërshtoi ashpër arrestimin dhe autoritetin ligjor të SHBA-së për ta gjykuar. Të gjitha këto përpjekje dështuan, ashtu si edhe pretendimet e tij për imunitet. Ai u dënua dhe u burgos.

Pra, këtë film e kemi parë më parë. Avokatët e Maduros do të ngrenë të njëjtat sfida ligjore. Por nëse e kaluara është tregues, ka pak arsye të besohet se fundi do të jetë ndryshe.

Kjo lë vetëm pretendimin mjaft bosh të kundërshtarëve të Trump se veprimet e tij shkelën normat dhe zakonet e të drejtës ndërkombëtare. Është një akuzë e zakonshme që shpesh i mungon substanca.

Disa i referohen Nenit 2(4) të Kartës së Kombeve të Bashkuara, i cili ndalon “përdorimin e forcës kundër integritetit territorial” të një shteti. Por Karta parashikon një përjashtim për vetëmbrojtjen.

Siç dëshmohet nga akuzat në aktakuzën ndaj Maduro-s, veprimet e tij si narko-terrorist që përmbyt SHBA-në me drogë vdekjeprurëse justifikojnë plotësisht veprimet e Trump-it si mbrojtëse në natyrë. Trafiku i vazhdueshëm i drogës përbënte një kërcënim të menjëhershëm për jetën e qytetarëve amerikanë.

Nëse ekziston një konflikt midis ligjit amerikan dhe atij ndërkombëtar, detyrimet e presidentit sipas Nenit II të Kushtetutës kanë përparësi ndaj Nenit 2 të Kartës së OKB-së. Anëtarët e Kombeve të Bashkuara mund të ankohen sa të duan, por SHBA ka të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit.

Shumica e venezuelianëve duken të lehtësuar që makthi i gjatë i tiranisë, shtypjes dhe vdekjes nën Hugo Chávez-in dhe Nicolás Maduro-n më në fund ka marrë fund. Toka e tyre është e pasur me rezervat më të mëdha të naftës në botë.

Nëse mbahen zgjedhje të lira dhe të ndershme, ashtu siç duhet, qytetarët e varfëruar të këtij vendi krenar mund të ndajnë një të ardhme më të ndritshme lirie, rimëkëmbjeje ekonomike dhe prosperiteti financiar.

Për këtë, ata duhet të falenderojnë Presidentin Trump.

© SYRI.net