Universiteti i Tetovës sot ka shënuar 31-vjetorin e themelimit. Në kuadër të ceremonisë së përvjetorit të themelimit të universitetit të parë shqiptar në Republikën e Maqedonisë, është shpallur Doctor Honoris Causa ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Meidani. Ai, pas marrjes së këtij titulli, tha se ndihet i lumtur, pasi Tetovën e ka vizituar shpesh dhe më pas ka qenë edhe ligjërues në këtë universitet.
“Ky nuk është vetëm një institucion i arsimit të lartë, por një histori e ndërtuar mbi sakrificë dhe përgjegjësi akademike. Universiteti i Tetovës u themelua më 17 dhjetor të vitit 1994, në një kontekst të rëndë politik, juridik dhe shoqëror për shqiptarët në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Themelimi i tij nuk ishte vetëm një akt formal juridik, por një akt i vetëdijes arsimore kombëtare, i dedikuar për mungesën e arsimit të lartë në gjuhën shqipe dhe për nevojën për barazi akademike”, tha Jusuf Zejneli – Rektor i UT-së.
“Për mua dhënia e këtij titulli ka një domethënie të veçantë. Gjatë viteve 1976–1981, disa herë në vit, pas një ligjërimi 20-ditor në Universitetin e Prishtinës, në rrugën e kthimit për në Shqipëri, një nga ndalesat ishte edhe Tetova. Këtu është strehuar përkohësisht familja ime republikane pas rrëzimit të republikës dhe instalimit të mbretërisë. Ndoshta kjo ndalesë ka qenë një parapërgatitje për kthimin tim si ligjërues 20 vite më vonë, me ftesë të ish-rektorit Sadi Bexheti, të ish-kolegut të Universitetit të Prishtinës, Lufti Istrefi, dhe me ftesë të mikut tim Rexhep Qosja, për të ligjëruar në Universitetin e Tetovës”, tha Rexhep Meidani – ish-presidenti i Shqipërisë.






