Universiteti i Tetovës e promovoi gjeneratën e absolventëve të vitit akademik 2021/2022

Në një atmosferë përplot emocione, rreth 1000 absolventë të Universitetit të Tetovës e shënuan sot përfundimin e studimeve themelore. Ceremonia e hedhjes së kapelave është manifestimi qendror ku absolventët bashkë me udhëheqësinë e Universitetit, pedagogët, prindërit dhe familjarët festojnë për sukseset dhe arritjet gjatë periudhës së tyre të studimeve. Në sheshin e Rektoratit të Universitetit tonë të pranishëm ishin mijëra qytetarë, të cilët duartrokitën bijtë dhe bijat e tyre për përmbylljen e këtij cikli studimesh, shumë të rëndësishëm për karrierën e tyre profesionale dhe akademike.
Manifestimin e ceremonisë së absolventiadës e shpalli të hapur Kryetari i Senatit të Universitetit tonë, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti. Ai theksoi se, sot të gjithë së bashku jemi mbledhur këtu që të shënojmë përfundimin e një rrugëtimi të filluar vite më parë, rrugëtim ky që ishte me plot sfida e
vështirësi për absolventët.

Në emër të Qeverisë së vendin i pranishëm ishte edhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri.

“Sot, në ditën e diplomimit, nuk mbyllet kapitulli, por vijon. Vijon më fuqishëm se kurrë, sepse jeni ngritur më lart dhe me këtë janë ngritur edhe objektivat, pritshmëritë tuaja, por edhe të mjedisit tuaj ndaj jush. Nga sot keni përgjegjësi më të madhe sesa deri më sot, rritni orarin e punës dhe shkurtoni orarin e gjumit. Është e vetmja mënyrë për sukses dhe lumturi. Në emër të qeverisë, sot ju obligohem që po bëjmë dhe do të bëjmë më të mirën për të përmirësuar kushtet për punësim, standardin jetësor, ngritjen e klimës së biznesit, përkrahjen për hapje të bizneseve, të gjithë atyre që pranohen në universitete më të mira, për master dhe doktoraturë – mbulimin e plotë të shpenzimeve të studimeve, po bëjmë gjithçka për ta bërë vendin tonë më të sigurt, për ta bërë opsionin numër një, për të jetuar dhe krijuar, për ta sjellë Evropën këtu, në vend që ju ta
gjeni Evropën atje”, u shpreh Shaqiri.

Në ceremoni i pranishëm ishte edhe ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ndërsa fjalën përmbyllëse e kishte Prof. Dr. Vullnet Ameti, Rektor i Universitetit të Tetovës.

Në ceremoninë e hedhjes së kapelave të gjeneratës së absolventëve 2021/2022 morën pjesë me mijëra qytetarë, prindër dhe familjarë të absolventëve tanë, si dhe shumë personalitete, në mesin e të cilëve drejtues institucionesh, në nivel qendror dhe lokal. Ky manifestim u përmbyll me një program artistik nga artistët Bajramali Idrizi dhe Shpëtim Mustafa.