Universitetet shqiptare e demantuan Janevskën: Asnjë profesor i joni nuk ka marrë pjesë në hartimin e Propozim-ligjit për Arsimin e Lartë

Pavarësisht se ministrja e Arsimit Vesna Janevska tha se në hartimin e propozim-ligjit për Arsimin e Lartë kanë marrë pjesë edhe profesorë shqiptarë, një gjë e tillë u demantua nga Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti ‘Nënë Tereza’, të tre universitetet e konfirmuan për Portalb.mk se asnjë profesor nuk ka marrë pjesë në hartimin e ligjit.

Ministria e Arsimit në krye me Vesna Janevskën vazhdojnë të fshehin emrat të cilët e hartuan Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë.

Ndonëse ministrja Janevska gjatë debatit publik në Tetovë nuk i tregoi emrat që e shkruan ligjin, pohoi se ka pasur edhe profesorë shqiptarë.

“Edhe nga USHT ka pasur persona që kanë marrë pjesë në krijimin e ligjit… Nuk mund t’ju them përmendësh (emrat)…Do t’i pyes nëse lejojnë të publikohen, të gjithë do t’i publikoj në ueb-faqe…Në afat prej 5 minutave do t’i zbulojmë emrat shqiptarë”, deklaroi Janevska, e cila më pas nuk i zbuloi emrat.

Megjithatë, tre universitetet shqiptare, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti ‘Nënë Tereza’ e demantuan ministren duke thënë se asnjë profesor nga këto institucione arsimore nuk ka marrë pjesë në hartimin e ligjit.

“Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Universiteti i Tetovës nuk ka pasur ftesë për të deleguar profesorë, apo ekspertë për hartimin e projekt –Ligjit për Arsimin e Lartë. Sikur jeni në dijeni, ky propozim ligj, është kundërshtuar njëzëri nga Këshillat mësimor-shkencor të trembëdhjetë fakulteteve të UT-së”, thanë nga Universiteti i Tetovës për Portalb.

Të njëjtën për Portalb e konfirmuan edhe nga Universiteti i Evropës Juglindore.

“Jo, nga Universiteti i Evropës Juglindore (UEJL) nuk ka pasur profesorë në grupin që ka shkruar Propozim-ligjin për Arsimin e Lartë”, thanë nga UEJL.

Nga Universiteti ‘Nënë Tereza’ thanë se në përbërjen e grupit që ka hartuar tekstin bazë të Propozim-Ligjit për Arsimin e Lartë nuk ka pasur asnjë profesor nga ky universitet.

“Teksti fillestar i Propozim-Ligjit është përgatitur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, ndërsa përfshirja e profesorëve universitarë, përfshirë edhe ata nga Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, ka qenë e kufizuar në fazën e konsultimeve dhe debateve publike, përkatësisht në dhënien e komenteve dhe sugjerimeve, por jo në cilësinë e anëtarëve të grupit autor të draftit fillestar të ligjit. Në këtë kontekst, theksojmë qartë se Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup nuk ka pasur asnjë profesor të përfshirë në grupin që ka hartuar (shkruar) Propozim-Ligjin për Arsimin e Lartë”, thanë nga UNT për Portalb.mk.

Nga ana tjetër, Ministria e Arsimit vazhdon të mos i japë emrat se kush e ka shkruar këtë propozim-ligj. Ministrja Janevska edhe pse u pyet për emra konkret të afërt me pushtetin, refuzoi të jap përgjigje.

Ministrja e Arsimit Vesna Janevksa duke mos dashur t’i zbulojë dha arsyetim të paqartë se mund të paditet nëse i zbulon emrat, pavarësisht se ligji është dokument publik dhe procesi i hartimit të tij nuk mund të trajtohet si çështje private.

Në ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski ka njoftuar se vetë ai dhe ministrja e Arsimit janë të përfshirë direkt në këtë ligj. Por emrat tjerë vazhdojnë të mbeten sekret.

Lidhur me mostransparencën e emrave të cilët e kanë shkruar ligjin kanë kritikuar edhe nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Propozim-ligji për arsimin e lartë po përcillet me shumë kritika ndërsa vijon debati publik për të njëjtin, pas së cilit pritet të miratohet versioni përfundimtar.