Manchester Unitedi pësoi humbje prej 2-0 nga Newcastle United në xhiron e 29-të të Ligës Premier duke vënë në rrezik pozitën që dërgon në Ligën e Kampionëve në sezonin e ardhshëm.
Dy skuadrat kundërshtare, së bashku me Tottenham Hotspur, tash kanë pikë të barabarta (nga 50), ashtu që deri në fund do të luftojnë për një vend në top-katërshe.
Trajneri Erik ten Hag po përgatit ndryshime të mëdha në skuadër për afatin e ardhshëm kalimtar dhe sipas Manchester Evening News, ai tashmë i ka në listën e largimeve gjashtë lojtarë.

Pjesë e kësaj liste janë edhe emrat, si Harry Maguire, Anthony Martial e Jadon Sancho. Kapiteni i Djajve të Kuq, dikur mbrojtësi më i shtrenjtë në histori, ka mbetur prapa në përzgjedhje pas një sërë gabimesh.
Martial këtë sezon ka zhvilluar vetëm 490 minuta në Ligën Premier, ndërsa me Sanchon, për të cilin Unitedi pagoi shuma të majme dy sezone më pare, Ten Hag po e humb durimin dhe është i gatshëm ta shesë.




