Unë “Shqiptari i mirë, i vdekur a gjallë”!!!

Shkruan: Naser Pajaziti

Mirëmëngjesi nga “unë shqiptari i mirë, shqiptar i vdekur” , kështu e përshëndeta një shitës maqedonas, me të cilin njihem moti.
“Ma pa me habi se çfarë është kjo, por ja ktheva se jam i nxitur nga thirrjet e mbrëmshme të disa grupeve të tifozëve të komunitetit tuaj që gjatëve festimeve të fitores së Maqedonisë së Veriut ndaj Italisë lëshonin brimtat ndjellakeqe “Shqiptari i mirë, shqiptari i vdekur” dhe fyerjet e tjera përtej çdo emërtimi, racist, albanofob, fashist…

Këto thirrje nuk kanë të ndalur rrugëve, shesheve, tribunave, e së fundi edhe në rrjete sociale. Këto grupe të kamufluara e të trimëruara që shfaqen në çdo kohë feste vazhdojnë të ndjellin dhe hellin vrerë.

“Shqiptar i mirë, shqiptari i vdekur”, “Pi… shqiptare”, “Kush nuk kërcen, ai është shqiptar”, mbrëmë sërish jehonin në sheshin e Shkupit, nga një grup goxha jo i vogël i festuesve.

Kjo urrejtje e skajshme me britmat tmerruese, edhe pse është e qartë se suksesi i kësaj përfaqësuese në futboll është kontribut duke filluar nga katër apo pesë futbollistët shqiptarë, e deri tek kreu i federatës që është shqiptar, që viteve të fundit u arrit ky sukses.
Këto britma sigurisht që nuk janë diçka e re, sepse vrulli i saj ka histori në vete dhe është vazhdimësi e diskursit të ndjekur dhe mbjellur nga qendra të caktuara politikanësh e akademikësh, që edhe sot ndjellin e mbjellin këtë farë.

E pikërisht fjala “shiptar” e jo e shqiptuar si “shqiptar” sipas këtyre mentaliteteve ka konotacionin negativ, ofendues dhe aludim tek njerëzit primitiv, të përçunduar e çka mos ma keq.

Institucionet e shtetit po fshihen prapa këtyre grupimeve tifozësh që po nxisin urrejtje dhe padurueshmëri. Kjo lakuriqësi e institucioneve vijon me vite e dekada, që po lejon defilimin e këtyre kriminelëve me atribute fashiste. Ata duken qartë në foto, por tolerohen dhe janë të paprekshëm.

Ata fituan krahë dhe fuqi sidomos në kohën e pushtetit të kaluar të Nikolla Gruevskit, kur defilonin gjithandej, rrahnin e kundërmonin, e madje provokonin edhe kolonat e dasmorëve shqiptarë.

Dhe asgjë, askush nuk dha përgjegjësi dhe vazhdon të mos jap përgjegjësi.

Mbyllja e syve dhe veshëve ndaj kësaj çmendurie të ricikluar të tufave të pakontrolluara dhe të paprekshme që nuk ndalin turrin do të kushtoj shumë, sepse pikërisht ky diskurs vrastar e dijmë se e çoi në “rrot të samës” shtetin federativ të së kaluarës.