“Unë jam arbëreshe”: Njihuni me Dona Bredi, politikanen e fuqishme shqiptare në Ohajo të Amerikës (VIDEO)

Unë jam arbëreshe. Kështu e fillon intervistën e vet për gazetën Lajm dhe Lajm Tv Dona Bredi, politikane e fuqishme në Klivlend të Ohajos, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Prejardhja e familjes së saj është nga Picari i Gjirokastrës, kurse para 500 viteve janë shpërngulur në fshatin Sao Paolo të Italisë. Edhe pse nuk e njeh mirë gjuhën arbëreshe dhe intervistat i bën në gjuhën angleze, Dona Bredi krenohet me rrënjët e saj shqiptare.

“Unë jam arbëreshe”: Njihuni me Dona Bredi, politikanen e fuqishme shqiptare në Ohajo të Amerikës (VIDEO)

“Unë jam arbëreshe”: Njihuni me Dona Bredi, politikanen e fuqishme shqiptare në Ohajo të Amerikës (VIDEO)

Posted by Lajm TV on Wednesday, March 4, 2020

Klivlendi është njëri ndër metropolet më të mëdha në mbarë Amerikën, kurse Dona Bredi është këshilltare me ndikim të madh në këtë metropol, nga radhët e Partisë Demokratike. Ndikimin në politikë, ajo e shfrytëzon në të mirë të komunitetit shqiptar në këtë qytet të madh.

Dona Bredi është koka e komunitetit shqiptar në Klivlend, kurse bashkëpunëtorët e saj më të afërt janë Ajaz Emini, Sako Satka, Adem Meta, e aktivistë tjerë shqiptarë.

Falë angazhimit të saj dhe të Shoqatës Shqiptaro Amerikane në Klivlend, në parkun më të njohur të këtij qyteti ekziston edhe këndi i shqiptarëve, ku është vendosur përmendorja e Nënë Terezës.

Shoqata Shqiptaro Amerikane në Klivlend të Ohajos posedon traditë të pasur me aktivitete të realizuar. Këto aktivitetet kulmin e tyre e kanë arritur gjatë krizës së Kosovës. Në vitin 1999 kjo Shoqatë ka marrë një detyrë speciale nga presidenti i atëhershëm amerikan, Bill Klinton, detyrë që e ka kryer me sukses.

Në Klivlend jetojnë 6 deri 7 mijë shqiptarë. Numri i tyre nuk është i madh si në kryeqendrat tjera amerikane Nju Jork, Çikago, Detroit, Nju Xhersi, Boston e Milvoki, por falë organizimit të mirë që kanë, ata po ia dalin me sukses të organizohen si komunitet me ndikim.

Shqiptarët që takuam në shtetin Ohajo të Amerikës kanë ardhur para 50 ose 60 viteve. Disa kanë ardhur më herët, disa më vonë, por për të gjithë ata është e rëndësishme që shqiptarinë tua lënë trashëgimi gjeneratave të ardhshme. 

Shqiptarët janë komunitet relativisht i vogël, por dëshira dhe vendosmëria për të ruajtur gjurmët e tyre në Klivlend është e madhe. Flamuri kuq e zi valon në kopshtin më të madh të qytetit edhe në borë edhe në shi, kurse bashkatdhetarët tanë premtojnë se kështu do të valojë edhe shumë dekada e shekuj në të ardhmen./Gazeta LAJM