Ozkan Ulutash, komandant i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ka theksuar rëndësinë e komunikimit të rregullt dhe të hapur me Forcat e Armatosura të Serbisë për të adresuar zhvillimet e rëndësishme dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për eskalim.
Në një deklaratë për media gjatë vizitës së tij në Beograd, Ulutash falënderoi autoritetet serbe për mikpritjen dhe veçanërisht gjeneralin Mojsiloviq, shefin e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë serbe, me të cilin thotë se ka zhvilluar bashkëpunim të frytshëm gjatë mandatit të tij të parë në krye të KFOR-it.
“Komunikimet e rregullta dhe të hapura midis KFOR-it dhe Forave të Armatosura të Serbisë janë thelbësore për të adresuar zhvillimet relevante dhe për të parandaluar çdo rrezik të mundshëm për eskalim, në mënyrë të drejtëpërdrejtë, transparente dhe konstruktive”, ka thënë Ulutash.
Ai theksoi se për më shumë se 25 vjet, KFOR-i ka luajtur rol kyç në ruajtjen e paqes dhe sigurimin e një mjedisi të qetë për të gjithë banorët e Kosovës, duke zbatuar mandatin e OKB-së sipas Rezolutës 1244 të vitit 1999.
Ulutash theksoi gjithashtu bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, duke përfshirë patrullimet, angazhimin me komunitetet lokale, mbështetjen e programeve të rindërtimit dhe sigurinë në Manastirin e Deçanit.
Komandanti i KFOR-it nënvizoi se sigurimi i një ambienti të sigurt është parakusht për dialogun politik dhe se NATO, përmes punës së përditshme të KFOR-it, vazhdon të mbështesë dialogun e lehtësuar nga BE-ja midis Beogradit dhe Prishtinës.
“Si komandant i KFOR-it, nuk do të kursej përpjekje për t’u siguruar që misioni ynë të mbetet një kontribues i rëndësishëm jo vetëm për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë, por edhe për stabilitetin në rajon”, u shpreh Ulutash.




