Fejzi HAJDARI
Zgjedhja e Talat Xhaferit për kryeparlamentar të parë shqiptar në Maqedoni, po përdoret si “xhokeri” kryesor nga BDI për të na bindur se “kur thotë diçka Ali Ahmeti edhe e bën” dhe se siç e bëri kryeparlamentarin shqiptar, ashtu do ta bëjë edhe kryeministrin.
Mirëpo harrojnë integristët se kryetari i parë shqiptar i Parlamentit nuk u zgjodh kur BDI ishte e fortë me 20 deputet (edhe pse ishte premtuar), por atëherë kur BDI u dobësua në minimumin e saj historik.
Askush nuk i ka faj as BDI-së, as Talat Xhaferit, që sipas mendimit tim, këtë post të fuqishëm nuk e përdorën për ta liruar së paku Feta Alimin nga burgu, por e përdorën për nevojat e imunitetit të Trajko Veljanovskit e Kërste Mukovskit. Jam i bindur se po të ishte zgjedhur dikush tjetër kryetar parlamenti, e jo Talat Xhaferi i definuar nga deputetët maqedonas si “i nash i vash”, shqiptarët do të përfitonin shumë më tepër. (Kush e din, ndoshta ka vlerësuar se më lehtë mund të bëhet bartës liste i BDI-së nëse e shpëton Veljanovskin dhe Mukovskin, se sa ta shpëtojë Feta Halimin).
Prandaj, mosforcimi i BDI-së, por, përgjysmimi i ri i saj nga 10 në 5 deputetë, është garancia më e madhe se do të fitojmë edhe kryeministrin e parë shqiptarët. Rënia e rejtingut të BDI-së, që tregojnë anketat e fundit të dy instituteve të fuqishme amerikane NDI dhe IRI, për momentin është shpresa më e madhe që do të kemi një kryeministër shqiptar.
Rënia e BDI-së në 5 deputetë (ashtu siç ra në zgjedhjet e vitit 2016 nga 20, në 10), hap rrugën që shqiptarët një herë e përgjithmonë të pastrojnë listat zgjedhore nga votuesit “fantomë”. Këta votues që nga pavarësimi i Maqedonisë, janë pengesa kryesore që pamundëson shqiptarët e Maqedonisë të fitojnë fuqinë politike, konform numrit real që kemi në Maqedoni.
Shqiptarët ia dhanë shansin BDI-së 18 vite me radhë, për t’i pastruar listat, por nuk e bënë dhe pse kanë pasur poste kyçe. Me fjalë e kanë bë disa herë, por në realitet asnjëherë. Nuk u kemi ne faj, vetë i kanë fajet. Është dashur të tregohen më të kujdesshëm kur kanë biseduar në telefon për tenderët e dallaveret që i kanë bë.
Rënia e BDI-së në 5 deputetë, do të hapë rrugën që në Maqedoni të ketë një Regjistrim real të popullsisë, ku shqiptarët do të kontrollojnë procesin në viset e banuara me maqedonas, ashtu siç e kontrollojnë maqedonasit në viset e banuara me shqiptarë. Me regjistrim real zbërthehet misteri si mund në një shtet të ketë më shumë votues se banorë. Asnjë parti shqiptare nuk e ka pasur rastin si BDI-ja që ta bëjë këtë, por nuk e kanë bë. Nuk u kemi ne faj, që nuk kanë mundur të përmbahen dhe dashurinë e kanë shprehur në mënyrë të pakontrolluar në bisedat telefonike. Vetë i kanë fajet. Shqiptarët nuk pranojnë më të jenë peng i epsheve të pubertetlinjve të vonshëm integristë.
Më gëzon fakti që shumica e shqiptarëve në Maqedoni po e vërejnë se BDI nuk mund të na sjellë kryeministrin shqiptar, por mund të jetë vetëm pengesë. Shqiptarët e dinë se BDI pas zgjedhjeve do të dalë e do të thonë heqim dorë nga kryeministri shqiptar për hir të eurointegrimeve. Ashtu siç thoshin në vitin 2014 hoqëm dorë nga kryeparlamentari shqiptar, për hir të anëtarësimit në NATO, anëtarësim që do të vonohej edhe shumë vite e dekada, sikur shqiptarët të mos godisnin në zgjedhjet e vitit 2016 edhe BDI-në edhe VMRO-DPMNE-në.
Sipas informacioneve të mia, por edhe shumë kolegëve tjerë, kryeministri i parë shqiptar është dashur të zgjedhet shuam më herët. Kjo ka qenë e dakorduar në kuadër të pjesës joformale të Marrëveshjes së Ohrit, por gjithçka ka dështuar pas aferës me milionat Telekomit. Që aty ka filluar rënia e çështjes shqiptare në Maqedoni, të ringjallur me gjakun e dëshmorëve në vitin 2001.
Çka duhet të kenë kujdes shqiptarët?
Shqiptarët po tregojnë se i kanë mësuar “fintat” e politikanëve. Anketa e IRI-t si duket i shuajti shpresat BDI-së, se për shkak të epidemisë shqiptarët kanë harruar të bërat dhe të pabërat e tyre gjatë 18 viteve.
Tani duhet të jemi të kujdesshëm sepse lojën e tyre në favor të BDI-së mund ta fillojnë mediumet dhe akademikët maqedonas. Qullafkova mund të na shajë, Mullavkova mund të na lavdërojë. Një medium maqedonas mund të na shajë, tjetri të na lavdërojë. Qëllimi i tyre është i përbashkët- të na defokusojnë nga problemet reale dhe të harrojmë dëmet që kemi përjetuar 18 vite me radhë.
Duhet t’i kuptojmë, i kanë borxh BDI-së. Gjatë qeverisjes së BDI-së e botuan Enciklopedinë ofenduese, që sot e kësaj dite shitet pa pengesë. Gjatë qeverisjes së BDI-së televizionet maqedonase morën miliona euro nga qeveria. Atyre iu konvenon që BDI të mbetet në pushtet. Do ta sulmojnë BDI-në, siç ndodh gjithmonë para zgjedhjeve, që ne të mendojmë se kjo parti qenka parti patriotike shqiptare, prandaj po e sulmojnë mediumet maqedonase. Nuk pinë më ujë këto “fore”. Të njëjtën lojë mund ta luajnë edhe disa politikanë maqedonas. BDI pa problem bashkëpunon me ata, por edhe ata me BDI-në. Vetëm para zgjedhjeve i prishin punët. Është e qartë se me “armiqësinë” e tyre vetëm para zgjedhjeve, kanë qëllim vetëm ta forcojnë, e jo ta dëmtojnë BDI-në. Nuk kalojnë më këto dallavere te shqiptarët. Shqiptarët tani kërkojnë kryeministrin në Maqedoni, kurse pengesë më e madhe për realizimin e kësaj kërkese është BDI-ja. Pikë!