Ukrainasit në Shkup e shënojnë Ditën e Pavarësisë larg vendlindjes

“Për çdo ditë pres me ankth telefonatat nga Ukraina, për të mësuar fatin e më të dashurve që kam atje”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Viktoria Litlinçuk, e cila bashkë me djalin e saj katërvjeçar, tani jetojnë në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.

Viktoria, e cila deri para se të shpërthente lufta e Rusisë në Ukrainë, ka jetuar në qytetin ukrainas, Irpin, i është bashkuar të enjten marshit për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës.

Viktoria Litlinçuk.
Viktoria Litlinçuk.

Por, në vendlindje i kanë mbetur vajza më e rritur, motra dhe gjyshi.

Viktoria tani punon për një kompani ukrainase online, dhe tregon se diçka e tillë po e mban të lidhur me vendlindjen, por e pret me padurim ditën kur do të përfundojë lufta e të bashkohet me pjesën tjetër të familjes.

“Ëndrra ime mbetet të përfundoj lufta. Të çlirohet vendlindja ime nga okupuesi rus dhe sa më parë të kthehem në vendlindje”.

Ambasada e Ukrainës në Shkup dhe Shoqata e Ukrainës “Lesja Ukrainka”, kanë organizuar një marsh nga parku i qytetit të Shkupit, përballë ndërtesës së Parlamentit, deri tek “Rruga Ukraina”, në qendër të qytetit.

Menjëherë pas shpërthimit të luftës, në Maqedoninë e Veriut kanë gjetur strehim rreth 6.500 shtetas të Ukrainës.

Mirëpo, më vonë, rreth 400 prej tyre kanë kërkuar strehim të përkohshëm për arsye humanitare. Të tjerët kanë kaluar në shtete të ndryshme, kryesisht të Bashkimit Evropian.

Ukrainasit duke e mbajtur një mbishkrim në duar “Rusia është shtet terrorist”.
Ukrainasit duke e mbajtur një mbishkrim në duar “Rusia është shtet terrorist”.

Ambasadorja ukrainase në Shkup, Larisa Dir, ka thënë të enjten se, ukrainasit mbeten të palëkundur në mbrojtjen e integritetit të shtetit të Ukrainës.

“Ukrainasit festojnë për të dytën herë radhazi Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, në kushtet e agresionit të ashpër rus kundër Ukrainës. Sot, ukrainasit po mbrojnë të drejtën e tyre për jetën, sovranitetin, integritetin territorial, si dhe vlerat universale njerëzore, domethënë ato parime dhe parime morale që ndihmojnë në harmonizimin e ekzistencës së njerëzve”, ka thënë Dir.

Ambasadorja ukrainase në Shkup, Larisa Dir.
Ambasadorja ukrainase në Shkup, Larisa Dir.

Kryetari i Komunës së Shkupit Goran Gerasimovski, ka thënë se qytetarët e Ukrainës do të kenë mbështetjen dhe ndihmën e Maqedonisë së Veriut në çdo formë.

“Vitin e kaluar, banorët tanë u kujdesën për disa qytetarë ukrainas, që u larguan nga zonat e luftës për të gjetur paqe dhe strehim për fëmijët e tyre. Ndihma dhe përkrahja është gjëja më e çmuar mes shteteve, prandaj Shkupi mbetet i hapur për t’i mbështetur të gjitha familjet që do të vijnë. Në fund, dua t’ju përgëzoj përsëri për pavarësinë e shtetit të Ukrainës dhe t’ju uroj fundin e luftës. Ju uroj shtet të lirë, ekonomi të fortë dhe kthimin e paqes dhe qetësisë së qytetarëve”, ka thënë Gerasimovski.

Me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, në Shkup është organizuar edhe një ekspozitë e titulluar “Fëmijët e luftës”.

Pamje nga ekspozita me punimet e fëmijëve ukrainas që jetojnë në Shkup.
Pamje nga ekspozita me punimet e fëmijëve ukrainas që jetojnë në Shkup.

Në të janë prezantuar punimet e fëmijëve, të cilat i kanë shpërfaqur përjetimet e luftës në vendlindjen e tyre.

Një punim i ekspozitës së prezantuar në Shkup.
Një punim i ekspozitës së prezantuar në Shkup.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL