Qeveria ukrainase qëllimisht nuk ka folur për planet, por forcat tani kanë nisur sulmet ndaj pozicioneve ruse në disa pika të frontit të luftës. Kjo është bërë për të kërkuar shenja të dobësive të forcave ruse.
Ndërkaq, zyrtarët ukrainas të Mbrojtjes kanë thënë se armiku vazhdimisht është mbrojtur. Shumë ekspertë ushtarakë kanë thënë se fokusi i kundërofensivës së shumëpritur ukrainase do të jetë Zaporizhzhia.
Ata kanë argumentuar se Kievi do të bëjë përpjekje që të ketë përsëri dalje në Detin Azov, duke shkatërruar forcat ruse me plane për përçarjen e tyre në dy grupe.
Kjo jo vetëm që do të dobësonte kapacitetet luftuese të Rusisë, por do të eliminonte urën tokësore drejt Krimesë, territor ukrainas i aneksuar jashtëligjshëm nga Rusia gjatë vitit 2014.
Ukraina në muajt e fundit ka planifikuar kundërofensivën, por ka pritur me qëllim që forcat e stërvitura të merrnin armatimin e avancuar nga aleatët perëndimorë.
Qeveria ukrainase qëllimisht nuk ka folur për planet, por forcat tani kanë nisur sulmet ndaj pozicioneve ruse në disa pika të frontit të luftës. Kjo është bërë për të kërkuar shenja të dobësive të forcave ruse.
Ndërkohë, kanë vazhduar sulmet ruse në Ukrainë. Gjatë të premtes, Rusia sulmoi me raketa dhe dronë. Nga këto bombardime ka mbetur i vrarë të paktën një person në Zhytomyr në perëndim të Kievit.
Rusia pushtoi pjesën më të madhe të rajonit të Zaporizhzhia menjëherë pasi presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Megjithatë kryeqyteti rajonal, qyteti i Zaporizhzhias, kontrollohet nga Ukraina.
Luftimet e fundit të ashpra në zonë vazhduan gjatë të premtes, me disa blogerë ushtarakë rusë pro-Kremlinit që raportuan të enjten se Ukraina kishte rifilluar sulmet, duke përmendur lëvizjen e transportuesve të blinduar të personelit dhe dronëve që drejtonin zjarrin e artilerisë.
Vladimir Rogov, zyrtar lokal i emëruar nga Rusia, ka njoftuar se trupat ruse po mbanin pozicionet e tyre në mes të “luftimeve aktive” drejt qytetit të Tokmak, i cilësuar si objektiv kryesor për Ukrainën, ndërsa kërkon të përparojë në Detin Azov.
Është e vështirë të verifikohen pretendimet nga të dyja palët. Më herët të enjten, zëvendësministrja e Mbrojtjes e Ukrainës, Hanna Maliar, ka thënë se forcat ruse janë aktualisht “në mbrojtje aktive” në Zaporizhzhia dhe pretendoi se po bëheshin përparime rreth qytetit lindor të Bakhmut, i cili është shkatërruar kryesisht gjatë muajve të luftimeve.
Rajoni i Zaporizhzhia është gjithashtu shtëpia e termocentralit më të madh bërthamor në Evropë, i cili është në një zonë të kontrolluar nga forcat ruse. Qendra po vazhdon të marrë ujë nga rezervuari i digës Nova Kakhovka në lumin Dnipro, me gjithë shkatërrimin e digës të martën.