Ukraina mund ta fitojë luftën me Rusinë

Kryediplomati amerikan Antony Blinken i ka thënë BBC-së se është i bindur se Ukraina mund ta fitojë luftën e saj me Rusinë.

Sekretari amerikan i Shtetit tha se nuk mund të thoshte se sa do të zgjaste lufta, por këmbënguli se disfata e Ukrainës nuk ishte e pashmangshme.

Ai pranoi se “pesha e ushtrisë ruse, e kalon shumë atë që Ukraina është në gjendje të grumbullojë”. Megjithatë, zyrtari i lartë amerikan vlerësoi popullin ukrainas për vendosmërinë e tij dhe tha se pret që me kalimin e kohës të bëhet e qartë se Moska nuk mund të nënshtrojë popullin e vendit kundër vullnetit të tyre.

“Nëse synimi i Moskës është që të përpiqet disi të rrëzojë qeverinë dhe të instalojë regjimin e saj kukull, 45 milionë ukrainas do ta refuzojnë këtë në një mënyrë ose në tjetrën”, tha ai.

Blinken tha se SHBA dhe aleatët e tjerë mbeten të shqetësuar për rrezikun e përshkallëzimit. “E vetmja gjë më e keqe se një luftë e kufizuar në Ukrainë është ajo që përshkallëzohet edhe më tej dhe shkon përtej saj”, shtoi ai.