Ukraina ka kryer gati 160 sulme të suksesshme kundër impianteve të nxjerrjes dhe rafinimit të naftës në të gjithë Rusinë në vitin 2025, ka njoftuar kreu i Shërbimit të Sigurisë së Ukrainës (SBU), Vasyl Maliuk.
Maliuk tha se të paktën 20 nga këto sulme u kryen vetëm në shtator dhe tetor, duke synuar gjashtë rafineri nafte, dy terminale nafte, tre depo karburanti dhe nëntë stacione pompimi.
“Këto janë objektiva legjitime ushtarake. Nxjerrja dhe rafinimi i naftës përbëjnë rreth 90% të buxhetit të mbrojtjes së Rusisë. Këto janë rublat e pista të naftës që financojnë luftën kundër nesh”, tha ai.
Maliuk pohoi se mungesat e karburantit në Rusi kanë arritur deri në 20%, me 37% të kapacitetit të saj të rafinimit të detyruar të mbyllet.
Mungesë karburanti u raportua në 57 rajone ruse, duke bërë që Moska të ndalojë eksportet e benzinës deri në fund të vitit.
Ndryshe, sulmet ndaj infrastrukturës ruse të naftës dhe vendeve ushtarako-industriale janë pjesë e një fushate të vazhdueshme të kryer kryesisht nga dronë ukrainas të prodhuar në vend.
Operacionet janë të dizajnuara për të prishur ekonominë e luftës së Rusisë dhe aftësitë e saj ushtarake.
Kohët e fundit, inteligjenca ushtarake e Ukrainës (HUR) goditi një tubacion kyç të karburantit ushtarak rus në Oblastin e Moskës më 31 tetor, duke çaktivizuar një rrugë kyçe furnizimi të përdorur nga ushtria ruse.
HUR tha se sulmi kishte në shënjestër tubacionin Koltsevoy (Unaza), një arterie karburanti 400 kilometra e gjatë që përdoret për të furnizuar forcat e armatosura të Rusisë me benzinë, naftë dhe karburant aeroplanësh nga rafineritë në Ryazan, Nizhny Novgorod dhe Moskë.
Operacioni thuhet se shkatërroi të tre linjat kryesore të karburantit të sistemit njëkohësisht pranë distriktit Ramensky, në juglindje të Moskës.




