Ukraina ia ka dorëzuar përgjigjen e saj administratës Trump të mërkurën ndaj propozimit të fundit të paqes të hartuar nga SHBA-ja që synon t’i japë fund luftës me Rusinë, kanë thënë zyrtarët amerikanë dhe ukrainas për CNN.
Përpjekjet për t’i dhënë fund luftës disavjeçare janë përshpejtuar ndjeshëm në javët e fundit.
Presidenti Donald Trump të mërkurën sugjeroi se një zgjidhje mund të “gjendet së shpejti”, duke u thënë gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se “shumë njerëz thonë se ajo është më afër se kurrë”.
Ai ka shtuar se kishte diskutuar me homologët e tij evropianë lidhur me Ukrainën dhe se ata i kishin kërkuar që të udhëtonte këtë fundjavë për në Evropë për një takim së bashku me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.
“Ne do të marrim një vendim, varësisht nga përgjigja që do të marrim. Nuk duam të humbasim kohë”, ka deklaruar Trumpi.
Një diplomat evropian gjithashtu ka thënë se diskutimet janë duke përparuar.
Një sërë takimesh janë zhvilluar pas zbulimit më pak se një muaj më parë të një draft-propozimi prej 28 pikash të hartuar nga SHBA-ja dhe të mbështetur nga Rusia për t’i dhënë fund luftës.
Pas një sërë konsultimesh me Kievin dhe një takimi në Moskë, plani me 28 pika u reduktua në 20 pika, me synimin për ta bërë të pranueshëm për të dyja palët ndërluftuese.
Diskutimet janë duke vazhduar dhe nuk është e qartë se çfarë ndryshimesh, nëse ka, ka bërë Kievi në dokumente në përgjigjen e tij të fundit.
Megjithatë, dy diplomatë evropianë të njohur me përmbajtjen e draftit me 20 pika kanë thënë se ai propozon krijimin e një zone të çmilitarizuar përgjatë vijës së kontaktit.
Plani po ashtu bën thirrje për garanci sigurie për Ukrainën në përputhje me Nenin 5 të NATO-s, i cili bën thirrje për mbrojtje të ndërsjellë të aleatëve të NATO-s. Ai po ashtu propozon anëtarësimin e Ukrainës në Bashkimin Evropian deri në vitin 2027.
Plani po ashtu nuk përmban deklarime që ndalojnë Ukrainën të bashkohet ndonjëherë me NATO-n. Në vend të kësaj, nuk përmend fare anëtarësimin e mundshëm të Ukrainës në aleancën mbrojtëse.
Ai gjithashtu bën thirrje për zgjedhje në Ukrainë, diçka që si Trumpi ashtu edhe Kremlini e kanë ngritur. Zelensky ka thënë këtë javë se është i gatshëm për të mbajtur zgjedhje brenda 60 deri në 90 ditëve të ardhshme nëse siguria mund të garantohet.
Sipas diplomatëve, drafti i përditësuar prej 20 pikash përmban elementë nga 28 pikat që ka të ngjarë të ngjallin shqetësim tek ukrainasit dhe evropianët.
Midis tyre është një njohje formale nga SHBA-ja e territorit të pushtuar nga Rusia.
Kjo do të shënonte një përmbysje të politikës së gjatë të SHBA-së për të njohur integritetin territorial të Ukrainës dhe për të mos njohur ndryshimet e dhunshme në territor.
Propozimi i fundit i SHBA-së kërkon gjithashtu një limit personeli prej 800,000 në ushtrinë e Ukrainës – një rritje e vogël nga limiti prej 600,000 personash në dokumentin me 28 pika.
Ai gjithashtu përshkruan SHBA-në dhe Rusinë si përcaktuese të fatit të aseteve të ngrira të Rusisë.
Edhe pse negociatat vazhdojnë, brenda qeverisë amerikane dhe midis aleatëve ekziston pranimi se diskutimet janë të brishta dhe çështjet si koncesionet e tokës mund të pengojnë përpjekjet për paqe.
Ende nuk ka shenja se presidenti rus, Vladimir Putin dëshiron vërtet një zgjidhje paqeje, kanë thënë zyrtarë evropianë dhe të NATO-s.




