Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë mbi 600 të burgosur

Më shumë se 600 të burgosur lufte janë shkëmbyer midis Ukrainës dhe Rusisë.

Kjo është dita e dytë radhazi që qindra të burgosur lirohen, si pjesë e një marrëveshjeje që pritet të sjellë kthimin në shtëpi të gjithsej 1000 të burgosurve nga secila palë.

Sot, 307 ushtarë rusë u kthyen nga Kievi në këmbim të 307 ushtarëve ukrainas. Dje, secila palë ktheu 270 ushtarë dhe 120 civilë.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ndau në rrjetet sociale foto të ushtarëve të liruar, së bashku me një deklaratë.

“Ndër ata që u kthyen sot janë ushtarë nga ushtria jonë, Shërbimi Shtetëror i Kufirit dhe Garda Kombëtare e Ukrainës”, tha ai.

Ai falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në shkëmbim dhe shtoi se “qëllimi ynë është të kthejmë çdo person nga robëria ruse”.

Ministria ruse e mbrojtjes publikoi një deklaratë të vetën për shkëmbimin dhe tha se do të ketë edhe të tjera në vijim.