Uji nuk pihet, por s’ka tabelë informuese! Qytetarët nuk u besojnë analizave për ujin në Banjat e Tetovës

Instituti i Shëndetit publik në Tetovë më 21 korrik njoftoi se uji mineral që buron në Banjën e Tetovës nuk është i pijshëm, sepse janë gjetur baktere si në çezmën që gjendet në hyrje, po ashtu edhe te ajo që gjendet tek Ura e Hekurit rreth lumit. Më pas, në një përgjigje tjetër për TV21 nga instituti informojnë se njëra çezmë është pastruar edhe mund të përdoret për pije.

“Analizat e ujit që kemi përsëritur tek Banja e Tetovës thonë se uji tek çezmat në hyrje është i pastër dhe tani mund të konsumohet. Ndërsa tek çezma cila gjendet tek Ura e Hekurit deri në marrjen e analizave të tjera nuk duhet të konsumohet”, deklarojnë nga Instituti për Shëndet Publik – Tetovë.

Televizioni 21 ka qëndruar në Banjën e Tetovës, ku qytetarët akoma pinë ujë në këto dy ¬çezma.

“Analizat e Qendrës për Shëndet Publik në qytetin e Tetovës kanë konstatuar se uji mineral i cili gjendet në Banjën e Tetovës pikërisht tek Ura e Hekurit, por pamjet tregojnë se pikërisht në këto çezma nuk ka asnjë shenjë ku thuhet se pikërisht ky ujë nuk mund të pihet”, raporton gazetari, Senat Zylbehari.

Folëm edhe me qytetarët, të cilët thonë se kanë vite që e pinë këtë ujë dhe se nuk besojnë tek analizat e Institutit për Shëndet Publik, madje-madje i shohin si deziformata.

“Po si nuk pihet mor ky ujë, nuk është tash por ka kohë e kohë, edhe janë munduar që ta punojnë por asnjëherë nuk mund ta bëjnë, sepse po ta punojnë ka edhe shërim, edhe shëndet, edhe për reuma edhe për çfarëdo.”

“Ato janë muhabete, se ata që shesin në dyqane ujë të gazuar u mbesin pa shitur, ky është mendimi im prandaj thonë që nuk bën.”

“Jo nuk është e vërtet, unë nuk e besoj, më ka bërë mirë mua kjo ndoshta është ndonjë lojë politike që ta ndalojnë këtë ujë që mos pihet, të pihet ai ujë që shitet”

Uji mineral që gjendet rreth lumit Shkumbin konsumohet nga mijëra qytetarë, ndërsa ka vizitorë edhe nga Shkupi e Gostivari. Banja e Tetovës përpos ujit, vizitohet edhe për rekreacion, sidomos kur temperaturat janë të larta. Sipas banorëve ky ujë është shërim për lëkurën, reumatizmin si dhe ndihmon për tretjen e ushqimit.