“Uji i Bekuar” -Rituali i puthjes së kryqit, rrezik për përhapjen e virusit

Mesha në Kishën ortodokse “Uji i Bekuar” në Shkup nisi si rëndom, por në rrethanat që po kremtohet kjo festë nuk u kishte ndodhur asnjë herë më parë. Në këtë tempull janë përshkruar masat për respektim të kufizimeve kundër përhapjes së virusit korona. Por, jo të gjithë besimtarët ortodoks i respektuan ato. Meqenëse distancën nuk e kishin mes tyre, maskat i mbanin deri në momentin kur duhej të bënin ritualet fetare.

Puthja e kryqit nga më shumë njerëz përbën rrezik potencial për infeksion nga CoVid-19. Përkundër masave restriktive që as gjatë festave fetare të mos thyhen protokollet, në këtë rast policia rrinte me duar në xhepa. Higjiena nuk ishte në nivelin e duhur. Qytetarët thonë se kjo ceremoni tradicionale vjen para shëndetit dhe se nuk pyesin fare për virus nga që mbështetjen e kanë tek Zoti.

“Duhet të festohet, por tani koha nuk është edhe ideale. Kjo na pengon me të thënë të drejtën, sipas traditës është festë e madhe por s’kemi çfarë të bëjmë. Çka është më me rëndësi për juve festa apo shëndeti? Po festa, unë mendoj!”.

“Po pak po, por kjo është situata! Nuk e di, nuk do të thosha cilat janë vërejtjet”.

“Po me të vërtetë është e frikshme vet fakti që pas kaq shumë vitesh nuk arrijmë të kemi ritualet tona fetare. Gjithsesi po përpiqemi të respektojmë rekomandimet shëndetësore”.

“Për kryqin ajo është tjetër, në këtë ftohtë njerëzit të zbathur nuk do të lahen. Kjo nuk është asgjë, secili që bart maskë këtu është normale”.

Kryqi nuk u hodh në Lumin Vardar, por ceremonia u bë simbolike brenda kishës. Kjo për shumicën e besimtarëve mund të sjell fat të keq gjatë këtij viti. Por, në Ohër kjo ceremoni u bë nga vetë qytetarët, të cilët hodhën kryqin në Liqe dhe u lanë masovikisht. Policia nuk intervenoi, ndërsa më pas u shqiptoi gjoba të gjithë atyre që u hodhën në ujë.

“Këtë vit ishte fati im, çdo vit lahemi. Sivjet në një mënyrë ndryshe, por fati ishte në anën time”, tha Nikolla Çorbeski, qytetar.

“Ky vit ishte krejt në tjetër atmosferë, mënyra nuk më pëlqeu sepse u ndërpre një traditë e madhe”.

“Ishim të kujdesshëm tu përmbahemi të gjitha protokolleve nga ana jonë, këtë festë e kremtuam në mënyrën më të mirë të mundshme. Shpresoj që vitin e ardhshëm do të kthehemi në traditën e vjetër”.

Përveç Ohrit, rituale të tilla ilegale të hedhjes në ujë ka pasur edhe në Strugë e Manastir. Në Strugë nga ura e Lumit Drin kishte grumbullim të njerëzve pa asnjë distancë. Ndërkaq, në Manastir u hodhën në një pishinë. Kujtojmë qe në fuqi janë masat kundër grupimit të njerëzve në çdo hapësirë. Pas ceremonisë qendrore të kësaj feste nuk kishim një qëndrim zyrtar se përse lejuan që gjatë shpërndarjes së Ujit të Bekuar vetë priftërinjtë të merrnin pjesë në grupimet masive të njerëzve.