Shkruan: Blerim Shala
Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare që hyri në fuqi këto ditë me nënshkrimin e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, konfirmon, pos tjerash, në atë pjesën që i dedikohet Kosovës dhe kësaj pjese të Evropës, qëndrimet e qarta të SHBA-së të cilat për më shumë, ndërlidhin, gjë që ka rëndësi njëmend shumë të veçantë, interesin strategjik të Amerikës me stabilizimin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.
Në të vërtetë, për një pjesë të Evropës që ende ka telashe të shumëfishta, disa origjinale apo ’prodhim vendor’ e disa të tjera të importuara nga jashtë (para se të gjithash nga Rusia), nuk ka mundur të ketë lajm më të mirë se sa ky që ndërlidhet me miratimin e këtij Ligji.
Këtu nuk ka hamendje, nuk ka dyshime, nuk ka hezitime. Dhe çka është më e rëndësishmja, kemi të bëjmë me një Ligj që ka përkrahje bipartizane në Amerikë.
Këtë fat zatën Kosova e ka pasur gjithmonë, që prej viteve të tetëdhjeta të shekullit të kaluar e këndej, kur te dy krahët e politikës amerikane, gjithmonë janë bërë bashkë në përkrahje të Kosovës.
Po mos të ishte kështu, po mos të kishte një pajtim në politikën amerikane për Kosovën dhe për paqen në Ballkan, kush e di ku do të ishim sot.
E ku do të duhet të jemi nesër, apo, thënë më sakt, ku do të jemi nesër, ky Ligj na e thotë në mënyrë të prerë, jo vetëm neve, por edhe Serbisë dhe të gjitha shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Vendi i këtyre shteteve është në Bashkimin Evropian.
Në këto anë të Evropës, nuk kanë çka të kërkojnë as Rusia dhe as Kina, dhe këtë duhet ta kenë të qartë këto shtete, ku natyrisht, fokusi kryesor këtu përkon me orientimet e çoroditura të Serbisë së Presidentit Aleksandar Vuçiq, të cilat janë me afat skadence që tashmë matet me muaj e jo më me vite.
Nuk ka dilema për askë që përcjell politikën amerikane të administratave republikane dhe demokrate, se çka është Ballkani Perëndimor. Ai, nuk është fushëbetejë për ndarjen e sferës së influencës në mes të Perëndimit dhe Lindjes. Këto shtete, të Ballkanit Perëndimor, janë pjesë e Perëndimit.
Kjo porosi, si dhe ajo tjetra, që del nga ky Ligj e që ka të bëjë me fuqizimin e demokracive në shtetet e kësaj pjese të Evropës, do të duhej të përfillej në plotëni nga qeveritë e këtyre shteteve.
Ky Ligj pra është një lloj udhërrëfimi politik, ekonomik dhe mbi të gjitha, strategjik për shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Natyrisht, Ligji për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, merret më konkretisht me dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe me perspektivën afatmesme të tij, duke njohur rezultatet e deritashme të tij, veçmas në këtë fazën e disa viteve të fundit, dhe duke i mbetur besnik pozicionit amerikan që është në fuqi që nga Administrata e Presidentit George W. Bush, e cila pati njohur pavarësinë e Kosovës.
Zbatimi i Marrëveshjes Themelore/ Aneksit të Ohrit (të dyjat të arritura në vitin 2023), është detyrim i te dy palëve në këtë proces, teksa SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë arritjen e një Marrëveshjeje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, e cila do të bazohet në njohjen e ndërsjellë.
Ka të ngjarë, në këtë kontekstin që krijohet nga ky Ligj, që koha për hyrjen në këtë etapën finale të bisedave në mes të Kosovës dhe Serbisë do të vjen më shpejtë se sa që pritet, midis tjerash, si pasojë e një modus operandi që është në fuqi në Shtëpinë e Bardhë që prej se këtu u kthye Donald Trump.
Dyzimi i vendosmërisë së Administratës Trump dhe Ligjit për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare, do të mund të sillte ndryshimet substanciale dhe afatgjata në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe në qëndrueshmërinë afatgjatë të Ballkanit Perëndimor.




