U tha që masat ndëshkuese ndaj Kosovës janë të përkohshme, BE-ja vazhdon të hesht për largimin e tyre

Bashkimi Evropian në fund të qershorit vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës.

Masat sipas Brukselit u vendosen për shkak të “mos ndërmarrjes së veprimeve për shtensionim të situatës në veri”.

Por nga BE-ja kishin deklaruar se këto masa janë të përkohshme dhe plotësisht të kthyeshme në varësi të zhvillimeve në terren dhe vendimeve për de-eskalim të marra nga kryeministri Albin Kurti.

Kështu kishte deklaruar në një përgjigje me shkrim për Telegrafin javë më parë, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

E tash kur ka nisur së zbatuari marrëveshja e arritur mes Kosovës dhe BE-së, për shtensionim të situatës në veri, Brukseli zyrtar ende nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për largimin e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.

Nga BE-ja i kanë thënë Telegrafit gjatë javës së kaluar se presin që Kosova të ndërmarrë hapa të tjerë në këtë drejtim.

“Ne mirëpresim përkushtimin e Kosovës ndaj marrëveshjes së arritur dhe presim që Kosova të ndërmarrë hapa të mëtejshëm pozitivë dhe të vazhdojë të përparojë në këtë drejtim”, thuhej në përgjigjen e BE-së.

Telegrafi ka pyetur sërish në zyrën e Bashkimit Evropian se përse deri më tash nuk ka asnjë veprim nga ana e tyre për largimin e këtyre masave, por deri në publikimin e këtij artikulli ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Më 10 korrik, Lajçak dhe kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, kanë konfirmuar se në një takim në Bratisllavë arritën marrëveshje për shtensionimin e situatës në veri.

Një ditë më vonë u prezantuan edhe hapat konkretë, të cilët parashinin tërheqjen e 25 për qind të Policisë së Kosovës nga dhe rreth ndërtesave komunale në veri, organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në fund të verës dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, të hënën në një takim me gazetarë në Prishtinë tha që është në pritje të njoftimit të BE-së për heqjen e sanksioneve, pas pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe BE-së në Bratisllavë, dhe tërheqjes së 25% të forcave policore nga ndërtesat komunale në 4 komunat veriore.

Masat që po zbaton BE-ja ndaj Kosovës përfshijnë: pezullimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe pezullimin e vizitave dypalëshe, përveç atyre që përqendrohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.

Masat tjera përfshijnë edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) si dhe propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.