U pagua apo jo, Grenelli mbështet Serbinë/ Bytyçi: Kosova pagoi lobistë për ta tjetërsuar territorin e saj!

Ditë më parë, studiuesi dhe profesori nga Serbia, Dushan Janjiç, deklaroi se ambasadori Richard Grenell ish i dërguar i administratës së SHBA-së në Kosovë, paguhet me 100 mijë dollarë amerikanë nga ana e qeverisë serbe për lobim në favor të saj.

Ndërsa, profesori amerikan, Daniel Serwer, i kërkoi zotit Janjiç dokumente rreth kësaj deklarate, me qëllim që ai ta denonconte rastin në Departamentin e Drejtësisë në SHBA.

E vet ish ambasadori Grenell në një deklarim për mediet e Kosovës e ka mohuar një gjë të tillë.

“Nuk duhet t’i besosh më kurrë kujtdo që ka thënë një gjë të tillë. Nuk është e vërtetë. Ata (Qeveria e Serbisë) nuk më paguajnë mua asnjë cent”, është shprehur Grenell.

Këto zhvillime i ka komentuar për gazetën “Bota sot”, profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se deklarimi i janjiq-it është i bazuar së paku në informacione të brendshme, të cilat zor se do të dekonspiroheshin nga qeveria serbe.

“Në këtë aspekt debati është nëse është e saktë dhe e vërtetë deklarata e studiuesit të Serbisë, i cili vazhdimisht është shfaqur me një lloj objektiviteti relativ në mendimet dhe propozimet e tij për raportet e Serbisë me Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi dhe rajonin. Janjiç është një studiues i njohur edhe në Evropë, prandaj fjala e tij ka peshë dhe ka shkuar deri në Amerikë. Mendoj se deklarimi i tij është i bazuar së paku në informacione të brendshme. Por nëse këto informacione që ai ka përbëjnë provë për shqyrtim në rrugën e drejtësisë është e dyshimtë. Zor se qeveria serbe do të dekonspironte dokumente të kësaj natyre. Nëse do të ndodhte kjo, atëherë ajo nuk do të gjente asnjëherë bashkëpunëtorë dhe lobues të saj në Amerikë, Evropë apo vende të tjera”, ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.

Kështu sipas Bytyçit, nëse do provohej akuza e Janjiç, zoti Grenell do të përgjigjej para drejtësisë amerikane.

“Kësisoj nuk besoj se kjo deklaratë e profesorit të Serbisë provohet me ndonjë dokument të dhënë, me fakte e argumente të dëshmuara. Prandaj dhe deklarata në fjalë do të mbetet thjesht një deklarim. Vetë zoti Grenell e përgënjeshtroi dhe e quajti një trillim akuzën se paguhet nga ana e qeverisë serbë, përkatësisht nga presidenti I Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Përgënjeshtrimi erdhi menjëherë pas deklaratës së dhënë. Madje u duk se ambasadori Grenell po kthente një përgjigje në nguti. Por shihej në atë përgjigje edhe një kundërshti e qartë, një mohim i asaj që ishte pohuar.

Mesa del nga debati, pagesa të tilla janë të ndaluara nga ligji amerikan. Nuk e di në kuadër të shkeljes së ndonjë ligji për lobingjet, apo për fshehje të taksave. Por gjithsesi ligji kërkon deklarimin e të ardhurave nga politikanët, zyrtarët dhe qytetarët amerikanë. Së paku për këto arsye, nëse do provohej akuza e Janjiç, zoti Grenell do të përgjigjej para drejtësisë amerikane. Por edhe nëse kjo është e vërtetë, a ka interes politika dhe diplomacia serbe të dërgojë prova në Departamentin e Drejtësisë Amerikane? Unë besoj se jo. Sepse do mbylltë çdo derë e çdo mundësi tjetër për lobim në favor të saj nga ndonjë personalitet tjetër amerikan”, nënvizon ai.

Megjithatë, profesor Bytyçi thotë se ambasadori Grenell është angazhuar hapur në dobi të disa interesave serbe në rajon e më gjerë.

“Ndoshta ai ka besuar dhe beson se Serbia mund të shkëputet nga ndikimi rus dhe kinez dhe bën përpjekje për joshjen e saj kah Perëndimi. Nëse e studiojmë marrëveshjen e 4 shtatorit 2020 në Uashington, duket qartë se ajo marrëveshje ka elementë që e detyrojnë Serbinë të rritë distancën me Moskën, G5-ën e madje të largohet edhe nga marrëdhënia e saj e ngushtë me vendet arabe për shkak të detyrimit që ta hapte ambasadën e saj në Jeruzalem”, u shpreh ai.

Bytyçi tha se ajo marrëveshje ishte produkt e Richard Grenell dhe bazuar në këtë angazhim ka vijuar edhe marrëdhënia e tij e ngushtë e mëvonshme me Beogradin dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.

“Por kohët e fundit kam vënë re se ndërsa Grenell vjen në Tiranë, së paku publikisht nuk kemi mësuar të ketë shkuar edhe në Beograd. Para gjashtë muajsh kjo nuk ndodhte. Se cilat janë fijet e politikës dhe diplomacisë që Grenell luan sot në rajon janë të paqarta për faktin se administrata Biden nuk po ndjek kursin e presidentit Trump. P.sh nuk po i kërkon me insistim Serbisë që ta transferojë ambasadën e saj në Izrael nga Tel Avivi në Jeruzalem”, thotë ai.

Kësisoj, ai potencoi se këto janë disa indice, të cilat na pamundësojnë të mësojmë të vërtetën, ashtu si është.

Profesori tregoi edhe për lobimin si praktikë e shteteve të ndryshme, ndërsa tha se Kosova ka paguar lobistë për ta tjetërsuar territorin e saj!

“Por lobimi në SHBA është praktikë e zakonshme dhe ata që paguajnë e bëjnë këtë për të përfituar në politikë, investime ose në aspekte të tjera. Megjithatë dua të them se regjimet dhe politikanët autoritarë lobojnë më shumë për pushtetin e tyre, sesa për interesat e vendit. Në Serbi kjo hipotezë është e paplotë, sepse atje lobimi edhe kur kontraktohet nga regjimi, shkon kryesisht në adresë të interesave jetike të vendit. Por në Shqipëri ndodh ndryshe. Ndërsa Kosova ka paguar lobistë për ta tjetërsuar territorin e saj! Paradoks i gjallë!”, përfundoi profesori.