U mbajt takimi i grupit të punës për eurointegrime në mes Shkupit dhe Sofjes, vlerësohet si i suksesshëm

Delegacioni qeveritar i Maqedonisë së Veriut i përbërë nga zëvendëskryetari i Qeverisë i angazhuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, zëvendëskryetarja e Qeverisë e angazhuar për politika për sundim të mirë, Sllavica Gërkovska, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Admirim Aliti dhe drejtori i përgjithshëm i Postave të Maqedonisë së Veriut, Jani Makraduli, sot në Sofje, në atmosferë pozitive, patën takim produktiv me kolegët nga Qeveria bullgare, ku u diskutua për aktivitetet rrjedhëse dhe projektet e ardhshme të përbashkëta në pjesën e sundimit të mirë, mjedisit jetësor, transformimit digjital dhe sundimit të së drejtës.

Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, siç kumtuan nga Sekretariati për çështje evropiane, në fillim të takimit e theksoi kënaqësinë nga komunikimi i deritanishëm me kolegët bullgarë. Theksoi se pret propozime dhe ide të cilat do të japin rezultate konkrete, në dobi edhe të qytetarëve në të dy anët e kufirit dhe për procesin eurointegrues.

“Komunikimi i drejtpërdrejtë dhe bashkëpunimi sektorial është mënyra e shkëlqyeshme për thellimin e marrëdhënieve. Bashkëpunimi përmes këmbimit të përvojave dhe praktikave të mira në sferat kyçe për procesin tonë eurointegrues, si sundimi i së drejtës, agjenda e gjelbër dhe transformimi digjital, të cilat për ne janë me rëndësi të jashtëzakonshme. Prandaj pres projekte të cilat do të jenë vlerë e shtuar në zbatimin e reformave”, tha zëvendëskryeministri Mariçiq.

Në diskutimin për politikat për sundim të mirë, zëvendësja e kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Sllavica Gërkovska dhe kolegia e saj bullgare Kalina Konstantinova e përshëndetën fillimin e shkëlqyeshëm të bashkëpunimit në këtë fushë të gjerë.

Gërkovska i shprehi falënderim palës bullgare për ndarjen e përvojave nga Programi operativ për sundim të mirë, i cili hapë fushë të gjerë bashkëpunimi mes dy vendeve në a fat të mesëm dhe të gjatë.

“Të dyja palët gjithashtu definuan një seri aktivitetesh të cilat do të pasojnë në periudhën në vijim me fokus të posaçëm në përforcimin e bashkëpunimit me sektorin qytetar, ndërtimin e kapaciteteve të administratës publike dhe këmbimit dhe ndarjes së përvojave në parandalimin dhe luftën me korrupsionin”, ceket në kumtesë.

Ministri i Shoqërisë Informatike dhe Administratës, Aliti, së bashku me kolegun e tij bullgar, Bozhidar Bozhanov, ministër për menaxhim elektronik të Republikës së Bullgarisë, u dakorduan në afat të caktuar kohor dy institucionet të fillojnë të bashkëpunojnë dhe të këmbejnë përvoja me qëllim të zhvillimit të shërbimeve tejkufitare elektronike për qytetarët dhe njohjen e përbashkët të shërbimeve të besueshme dhe identifikimin elektronik.

Në kuadër të takimit ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, së bashku me kolegun bullgar, zëvendëskryeministër për politika klimatike dhe ministër i Mjedisit jetësor dhe Ujërave të Republikës së Bullgarisë, Borisllav Sandov, nënshkruan Program dyvjeçar për zbatimin e Marrëveshjes për bashkëpunim mes dy ministrive në fushën e mjedisit jetësor dhe menaxhimit me ujërat, nënshkruar në vitin 2019.

Ministri Nuredini theksoi se me nënshkrimin e Programit konfirmohen angazhimet e përbashkëta për përmirësim të bashkëpunimit bilateral mes dy shteteve përmes zbatimit të aktiviteteve konkrete për mbrojtje më cilësore të mjedisit jetësor dhe pjesëmarrjes aktive në realizimin e nismave të përbashkëta.

Duke i ndjekur angazhimet e të dy qeverive, për dinamikë më të madhe të bashkëpunimit dhe implementimit të projekteve të përbashkëta, drejtorët e dy drejtorive postare, nënshkruan Memorandum mirëkuptimi për bashkëpunim postar mes Postave të Bullgarisë ESHA dhe SHA “Postat e Maqedonisë së Veriut”, me çka u hap një faqe e re mes dy drejtorive postare. Aktivitetet që do të dalin nga ky Memorandum, në të ardhmen, edhe qytetarëve dhe komunitetit afarist nga të dy shtetet, do t’u sigurojnë shërbime më cilësore dhe më efikase postare.

“Jemi të bindur se secili në kuadër të institucioneve të veta, me nismë dhe përgjegjësi individuale, mund të kontribuojë të hapet faqja e tyre në raportet e të dy vendeve, përmes lehtësimit të komunikimit mes qytetarëve dhe subjekteve afariste”, theksoi në takim drejtori makraduli, duke potencuar se edhe pse sot po nënshkruhet Memorandumi, dy drejtoritë postare tashmë ndërmorën aktivitete për implementim praktik.

Takimi i ardhshëm i grupit të punës për bashkëpunim evropian – tranzicion i gjelbër, transformim digjital dhe sundim i së drejtës do të mbahet në fillim të muajit prill, në Shkup.