TV Telma: Vrasësi serial në Kumanovë dyshohet për të paktën pesë viktima të moshuara

Rosanka Trajkovska jeton me djalin e saj Jovicën në fshatin Çellopek të Kumanovës. Tani ajo është më e qetë, pasi vrasësi serial nga i cili arriti të shpëtonte gruaja 86-vjeçare, ndodhet në paraburgim. Megjithatë, ajo është ende e shqetësuar, ndërsa shenjat në duart e saj dëshmojnë për luftën për jetë, edhe pse kanë kaluar dy javë që kur vrasësi hyri në shtëpinë e saj.
​Vetëm fati e shpëtoi Rosankën nga vdekja e sigurt, thotë djali i saj, i cili tregon se më 9 shkurt, kur ndodhi ngjarja, ai ishte në punë. Dhunuesi u tremb nga një zhurmë e papritur, kështu që iku dhe e la të moshuarën të mbuluar në gjak.
​Hetuesit pohojnë se e zbuluan sulmuesin e Rosankës pas vdekjes së një gruaje tjetër të moshuar nga fshati Staro Nagoriçan. Viktima jetonte në shtëpinë që ndodhet buzë rrugës që kalon nëpër fshat. Më 12 të këtij muaji u gjet e vdekur 78-vjeçarja Mira S. Ajo ishte rrahur dhe ngulfatur me jastëk. Jetonte vetëm, ishte pensioniste e Austrisë, ndërsa fillimisht ka dyshime se edhe është grabitur. Pas kësaj, policia arrestoi një 25-vjeçar nga fshati fqinj Dragomancë, por pas marrjes në pyetje u dyshua se ai është autor i disa vrasjeve.
​Sipas informacioneve të Telma-s nga hetuesia, deri më tani po rishikohen pesë raste, tre nga ky vit dhe dy nga viti i kaluar. Të gjitha viktimat ishin gjetur të vdekura vetëm në shtëpi, por gjysmë të zhveshura, megjithatë asnjëherë nuk ishte kërkuar obduksion (autopsi) për to, pasi nuk ishin konstatuar gjurmë dhune.
​Të njëjtat burime për Telma-n pohojnë se është e mundur të ketë edhe më shumë viktima edhe para kësaj periudhe që po hetohet tani.