Turqia vazhdon të prijë për numrin më të lartë të turistëve në Maqedoninë e Veriut

Sektori turistik në Maqedoninë e Veriut gjatë muajit maj 2026 ka shënuar një rritje të moderuar. Sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikës, vendin e vizituan 131.723 turistë, të cilët realizuan 236.727 netqëndrime, transmeton Portalb.mk.

Pjesa më e madhe e vizitorëve ishin turistë të huaj, të cilët përbënin 81 përqind të numrit të përgjithshëm të turistëve, ndërsa turistët vendas përfaqësonin 19 përqind.

Edhe për sa i përket netqëndrimeve dominojnë turistët e huaj, me 75,8 përqind të totalit, krahasuar me 24,2 përqind të realizuara nga turistët vendas.

Krahasuar me muajin maj të vitit të kaluar, numri i turistëve është rritur me 0,8 përqind, ndërsa numri i netqëndrimeve me 2,3 përqind.

Rritja është rezultat i shtimit të numrit të turistëve të huaj, të cilët kanë shënuar një rritje prej 5,2 përqind, ndërsa numri i turistëve vendas ka rënë me 14,7 përqind.

Gjatë pesë muajve të parë të vitit, Maqedoninë e Veriut e vizituan 404.599 turistë, që paraqet një rritje prej 2,6 përqind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Në të njëjtën periudhë janë realizuar 744.244 netqëndrime, ose 1 përqind më shumë se një vit më parë.

Edhe të dhënat kumulative konfirmojnë të njëjtën prirje. Numri i turistëve vendas në periudhën janar–maj ka rënë me 4,4 për qind, ndërsa netqëndrimet e tyre janë ulur me 4,1 për qind.

Nga ana tjetër, turistët e huaj kanë shënuar rritje prej 4,9 për qind, ndërsa netqëndrimet e tyre janë rritur me 3,3 për qind.

Numri më i madh i turistëve të huaj gjatë muajit maj ka ardhur nga Turqia, me 34.681 vizitorë. Pas tyre renditen Gjermania me 9.578Serbia me 7.605 dhe Bullgaria me 4.858 turistë.

Të dhënat tregojnë se rritja e turizmit gjatë vitit 2026 vazhdon të mbështetet kryesisht nga turistët e huaj, ndërsa turizmi vendas vazhdon të shënojë rënie, si në numrin e vizitorëve ashtu edhe në netqëndrimet e realizuara.