Turqia është përfshirë në planet evropiane për monitorimin e një armëpushimi të mundshëm në Ukrainë, duke u konsideruar për një rol të rëndësishëm në mbikëqyrjen e situatës në Detin e Zi, raportoi gazeta gjermane Die Welt, duke cituar burime diplomatike në Bruksel.
Raportimi vjen në një moment kur presidenti rus Vladimir Putin ka urdhëruar komandantët ushtarakë të vazhdojnë përpjekjet për krijimin e një “zone sigurie” përgjatë kufirit të Rusisë me Ukrainën gjatë vitit 2026.
Sipas Die Welt, Turqia është pjesë e asaj që quhet “koalicioni i të gatshmëve”, një grup vendesh evropiane që kanë nisur planifikimin për mbikëqyrjen e një armëpushimi të mundshëm.
Në takimet e këtij koalicioni, Turqia është përfaqësuar nga zëvendës presidenti Cevdet Yilmaz.
Burimet diplomatike bëjnë të ditur se, sipas planeve aktuale, monitorimi ajror dhe detar i armëpushimit do të realizohet nga vendet fqinje të Ukrainës, ndërsa Turqia do të ketë përgjegjësi specifike për rajonin e Detit të Zi, një zonë strategjike për sigurinë dhe logjistikën ushtarake.
Gazeta gjermane raporton gjithashtu se 10 mijë deri në 15 mijë ushtarë nga vendet evropiane pritet të dërgohen në Ukrainë gjatë gjashtë muajve të parë pas arritjes së një armëpushimi të mundshëm.




