Turqia kritikoi vendimin e Këshillit Evropian që kundërshtoi paktin detar turko-libian të muajit të kaluar, transmeton Anadolu Agency (AA).
“Bashkimi Evropian nuk ka autoritet të vendosë juridiksionin detar dhe BE nuk është një gjykatë ndërkombëtare, ata nuk mund të japin vendim për ligjshmërinë e marrëveshjes me Libinë”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Hami Aksoy në një deklaratë.
Ai tha se drejtuesit e BE-së në Bruksel kanë theksuar se pakti “shkel të drejtat sovrane të vendeve të treta” dhe kjo është një shembull tjetër i hipokrizisë së BE-së ndaj Turqisë.
“BE heshti kur administrata greke qipriote bëri një marrëveshje, duke vepruar si një shtet i rregullt dhe duke përfaqësuar gjithë ishullin, përkundër asaj se ata nuk kishin asnjë autoritet me vendet e rajonit kundër Turqisë dhe qipriotëve turq në vitin 2003, 2007 dhe 2010. BE injoroi okupimin e Greqisë të shelfit kontinental të Libisë”, shtoi ai.
Aksoy theksoi: “Ky qëndrim nuk mund të na dekurajojë të mbrojmë të drejtat dhe interesat e vendit tonë dhe qipriotëve turq në Mesdheun Lindor”.
Njëzet e shtatë vendet anëtare të BE-së u mblodhën të premten në Bruksel dhe ranë dakord për një deklaratë, duke pretenduar se pakti detar turko-libian “shkel të drejtat sovrane të vendeve të treta”.
– Pakti Detar Turqi-Libi
Pakti u nënshkrua më 27 nëntor dhe kaloi në parlamentin e Turqisë me 5 dhjetor. Ai hyri në fuqi më 8 dhjetor pasi të dy vendet e publikuan atë në gazetat e tyre zyrtare.
Memorandumi që përcakton juridiksionet detare të të dy vendeve kundërshton aktivitetet e njëanshme dhe të paligjshme nga vendet e tjera të rajonit dhe firmat ndërkombëtare dhe synon të mbrojë të drejtat e të dy vendeve.
Sipas Institutit Amerikan të Studimeve Gjeologjike, rajoni i Mesdheut vlerësohet të ketë miliona fuçi naftë dhe triliona metra kub gaz natyror me vlerë qindra miliardë dollarë.
Turqia u bëri thirrje vendeve të rajonit që të kenë një qasje të bazuar në barazi, por thirrjet e saj hasën kryesisht në vesh të shurdhër. Turqia vazhdon operacionet e saj të shpimit dhe kërkimit në rajon nën mbrojtjen e marinës së vendit.
Që nga viti 2011, kur sundimtari katërdekadësh libian Muammar Gaddafi u rrëzua nga pushteti dhe u vra, në Libi janë shfaqur dy qeveri rivale, një në Libinë Lindore dhe tjetra Qeveria e Pajtimit Kombëtar në Tripoli, e cila njihet nga OKB-ja.