Turqia inauguron Ishullin e Demokracisë dhe Lirive

Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan sot shënoi 60-vjetorin e grushtit të parë ushtarak të vendit të vitit 1960 me përurimin e “Ishullit të Demokracisë dhe Lirive”, të njohur më parë si Yassıada, ku junta që organizoi puçin ekzekutoi kryeministrin e parë të zgjedhur me votë, Adnan Menderes.

Erdoğan në fjalën e tij në ceremoninë e inaugurimit, me ç’rast ishulli u hap për publikun e gjerë, tha se 60 vjet më parë, Turqia përjetoi një nga ditët më të errëta të historisë së saj me grushtin e shtetit të 27 majit.

Erdoğan theksoi se krahas kryeministrit Menderes dhe ndihmësve të tij, para gjyqit u nxorën edhe historia turke, kultura, vlerat dhe besimet.

“Ajo që ndodhi nuk ishte gjyq, por vrasje e drejtësisë”, deklaroi presidenti turk.

Të pranishëm në ceremoni ishin edhe kryetari i Parlamentit Mustafa Şentop, lideri i Partisë së Lëvizjes Nacionaliste (MHP), Devlet Bahçeli, nëpresidenti Fuat Oktay, presidenti i Gjykatës Kushtetuese, Zühtü Arslan, zëdhënësi i Presidencës së Turqisë, İbrahim Kalın, burokratë, politikanë, komandantë të forcave të armatosura, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe shoqatave të avokatëve.

Yassıada, një nga ishujt që ndodhen në Detin e Marmara në juglindje të Stambollit, njihej për burgimet dhe gjyqet nga puçi ushtarak i vitit 1960. Ai u riemërua si “Ishulli i Demokracisë dhe Lirive” në vitin 2013.

Ishulli është vendi ku kryeministri i parë i zgjedhur në mënyrë demokratike në Turqi, Menderes, së bashku me anëtarët kryesorë të Partisë Demokratike (PD), u gjykuan dhe burgosën pas puçit të 27 majit.

Pas një gjyqi të njëanshëm dhe të paligjshëm në ishull, presidenti Celal Bayar, kryeministri Menderes, ministri i Jashtëm Fatin Rüştü Zorlu dhe ministri i Financave Hasan Polatkan u dënuan me vdekje. Bayar më vonë pranoi falje nga dënimi.