Turqia dhe Japonia drejt aleancës së re ushtarake, synojnë prodhimin e përbashkët të dronëve

Turqia dhe Japonia po shqyrtojnë mundësinë e thellimit të bashkëpunimit në industrinë e mbrojtjes, me fokus të veçantë në zhvillimin dhe prodhimin e dronëve luftarakë.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, ka deklaruar se dy vendet posedojnë kapacitete që plotësojnë njëra-tjetrën, duke theksuar se ekziston potencial i madh për projekte të përbashkëta në sektorin e teknologjisë ushtarake.

Sipas tij, Turqia ka ndërtuar përvojë të konsiderueshme në prodhimin dhe përdorimin e sistemeve ajrore pa pilot, ndërsa bashkëpunimi me Japoninë mund të hapë rrugë për zhvillime të reja në fushën e mbrojtjes.

Fidan shtoi se partneriteti mes Ankarasë dhe Tokios mund të zgjerohet edhe në fusha të tjera strategjike, përfshirë inteligjencën artificiale, robotikën, transformimin digjital dhe energjinë.

Ky bashkëpunim shihet si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve teknologjike dhe ushtarake mes dy shteteve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/