Turqi, vazhdon beteja për shuarjen e zjarreve

Turqia po përjeton zjarret më të këqija në të paktën një dekadë, tregojnë të dhënat zyrtare, me gati 95 mijë hektarë të djegur deri më tani. Që nga shpërthimi i zjarreve të mërkurën, 864 njerëz kanë marrë trajtim mjekësor dhe fatkeqësisht 8 kanë humbur jetën, tha ministri i shëndetësisë. Disa lagje në qytetin turistik të Bodrum u evakuuan, dhe mbi 1 mijë banorë u dërguan në një pjesë tjetër të qytetit me gati 20 anije. Fermerët turq nga ana tjetër po përpiqen të strehojnë kafshët e tyre në plazh, ndërsa zjarrfikësit luftojnë me zjarret në qytetin bregdetar turk Marmaris. E dëshpëruar nga situata, Turqia ka bërë thirrje për ndihmë, dhe Bashkimi Evropian dhe disa shtete të tjera i janë përgjigjur. Shumë vullnetarë iu bashkuan zjarrfikësve në luftën me zjarret masive që kanë lënë pas dëm të pallogaritshme.