Policia turke njoftoi sot se kishte arrestuar 20 anëtarë të dyshuar të grupit të Shtetit Islamik në Stamboll duke intensifikuar operacionet kundër Shtetit Islamik në qytetin më të madh të Turqisë në prag të Vitit të Ri.
“Forcat e sigurisë kanë kryer operacione në 48 vende të kësaj zone metropolitane”, theksuan burime policore.
“Njëzet persona të dyshuar se i përkisnin Shtetit Islamik janë ndaluar”, sipas këtyre burimeve që nuk dhanë detaje për kombësinë e tyre.
Në vitin 2017, një sulm mbrëmjen e Vitit të Ri në një klub nate në Stamboll, marrë përsipërt nga grupi i Shtetit Islamik, shkaktoi vdekjen e të paktën 39 personave.
Turqia ka rritur përpjekjet për të rikthyer anëtarët e Shtetit Islamik drejt vendeve të tyre të origjinës, që prej fillimit të ofensivës ushtarake në Siri në muajin tetor.