Tuntev : Mbikëqyrje e jashtëzakonshme inspektuese në M-NAV, pas përfundimit të saj do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme

Nuk ekziston asnjë shkelje ose kërcënim për sigurinë e trafikut ajror, ndërsa gjithashtu nuk ka asnjë ngjarje apo incident serioz në lidhje me funksionimin e sigurisë së trafikut ajror, deklaroi për MIA-n drejtori i Agjencisë së aviacionit civil, Tomisllav Tuntev, pas incidentit të djeshëm në M-NAV me ndërhyrjen në institucionin dhe sulmin ndaj punonjësve.

Në kontrollin e fluturimit, thekson Tuntev punojnë profesionistë me përvojë dhe ekspertë të cilët i dinë shumë mirë përgjegjësitë dhe detyrat e tyre për qiell të sigurt.

“Në lidhje me ngjarjen e djeshme, inspektorët e AAC, në kuadër të kompetencave të tyre, kanë kryer inspektim të jashtëzakonshëm si në fushën e sigurisë ashtu edhe në fushën e sigurisë së trafikut ajror. Qëllimi i kësaj mbikëqyrje është të arrihet në njohuritë e nevojshme për mangësitë eventuale në sistemet e sigurisë të cilat mund të kenë pasoja të mundshme në komunikacion dhe të eliminohen pasojat e tilla”, ka thënë Tuntevi dhe paralajmëron se pas përfundimit të mbikëqyrjes do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme korrigjuese dhe përcaktim i përgjegjësisë së mundshme.

Në lidhje me sulmin e djeshëm ndaj punonjësve në M-NAV në stacion policor me urdhër të Prokurorisë Themelore Publike është zhvilluar bisedë zyrtare me B.N., informoi sot Ministria e Punëve të Brendshme (MPB).

Siç thekson MPB në kumtesë pas sulmit në orën 15:15 në SP Petrovec një person i punësuar në M-NAV ka denoncuar se në objektin ka pasur shkelje të rendit publik dhe qetësisë, apo se. B.N. (person i punësuar në institucion) bashkë me disa persona të tjerë të panjohur kanë sulmuar fizikisht P.B., E.K. dhe B.R. (persona të punësuar në institucion).

Në kumtesën mbrëmë vonë MPB ka bërë të ditur se me katër persona të përfshirë në sulmin ndaj punonjësve në M-NAV-së realizohen biseda zyrtare dhe se në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike do të dorëzohen parashtresa përkatëse. Gjithashtu, po ndërmerren masa për gjetjen e katër personave të tjerë dhe se MPB edhe në periudhën e ardhshme do ta sigurojë në vazhdimësi objektin e M-NAV.

Sipas Prokurorisë Publike, siç kanë informuar paradite nga Pres shërbimi, po ndërmerren masa për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa Prokuroria Themelore Publike Shkup gjatë ditës pret kallëzim penal nga MPB-ja.

Sulmi ndodhi pas konferencës së djeshme për media të kryetarit të Sindikatës së kontrollorëve, Aleksandar Tasevski në të cilën ai informoi se njëzet deri tridhjetë kontrollorë dhe ndihmës të tyre në Navigacionin e Maqedonisë (M-NAV) pritet të ofrojnë dorëheqje nga pozitat drejtuese në M-NAV si mbështetje të aktiviteteve sindikaliste dhe reagimeve për konkursin e fundit për punësime në këtë institucion dhe sjelljen e menaxhmentit.

Qeveria mbrëmë ka paralajmëruar se në seancën e radhës të caktuar për të martën më 9 janar, do të marrë vendim lidhur me situatën në M-NAV duke përfshirë shkarkimin e gjithë udhëheqësisë dhe revizion të punës së deritanishme.