Trupat e dy pengjeve izraelite janë ‘nxjerrë’ nga Gaza, thotë Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se trupat e dy pengjeve izraelite janë “nxjerrë” nga Gaza.

Ai tha se trupat e Judi Weinstein Haggai, 70 vjeçe, dhe Gad Haggai, 72 vjeç, u rikuperuan gjatë një operacioni special nga ushtria izraelite dhe agjencia e sigurisë së vendit, Shin Bet.

Netanyahu theksoi se ata u rrëmbyen nga Kibbutz Nir Oz dhe u çuan në Gaza gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Në një deklaratë, Netanyahu tha: “Së bashku me të gjithë qytetarët e Izraelit, unë dhe gruaja ime u shprehim ngushëllimet tona të përzemërta familjeve të dashura”.

“Ne nuk do të pushojmë ose heshtim derisa t’i kthejmë të gjithë të rrëmbyerit tanë në shtëpi – të gjallët dhe të vdekurit njësoj”.