Forcat britanike janë dislokuar në Izrael për të “monitoruar armëpushimin në Gaza”, pas kërkesës së SHBA-së.
Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Healey, i tha një audience në Londër të hënën se forcat britanike mund të luajnë një “rol ankorimi”, duke kontribuar me “përvojën dhe aftësitë e tyre të posaçme” për të siguruar një paqe afatgjatë.
Britania ka dërguar një komandant të rangut të lartë dhe një numër të vogël trupash në Izrael për të ndihmuar në përpjekjet ndërkombëtare për të monitoruar një armëpushim të brishtë në Gaza, pas një kërkese amerikane, raporton Sky News.
Oficeri britanik do të veprojë si zëvendëskomandant i një komandanti amerikan, i cili ka për detyrë të drejtojë një qendër koordinimi civile-ushtarake, që pritet të përfshijë gjithashtu trupa nga Egjipti, Katari, Turqia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Marrëveshja e armëpushimit, e negociuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, ndërmjet Hamasit dhe Izraelit, krijon “mundësinë për një paqe afatgjatë”, tha Healey.
“A mund të kontribuojmë në monitorimin e armëpushimit? Kjo me shumë gjasa do të drejtohet nga të tjerët. Ne gjithashtu, në përgjigje të kërkesës amerikane, kemi vendosur një oficer me gradë të dyfishtë (dy yje) në një komandë civile-ushtarake si zëvendëskomandant,” tha ai.
Kontingjenti britanik nuk do të veprojë brenda territorit të Gazës.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Mbrojtjes britanike “një numër i vogël oficerësh britanikë për planifikim janë bashkuar në Qendrën e Koordinimit Civil-Ushtarak të udhëhequr nga SHBA-ja (CMCC), përfshirë një zëvendëskomandant me gradë dy yje, për të siguruar që Britania e Madhe të vazhdojë të jetë e integruar në përpjekjet amerikane për stabilitetin pas konfliktit në Gaza.”
Detaje për planet amerikane – të udhëhequra nga Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (United States Central Command) – për të ndihmuar në lehtësimin e lëvizjes së ndihmës humanitare, si dhe për asistencë logjistike dhe sigurie në territor, dolën në dritë pasi Trump arriti një marrëveshje armëpushimi ndërmjet Hamasit dhe Izraelit më 10 tetor.
Sipas burimeve, ekipi i ri do të ndihmojë në monitorimin e zbatimit të marrëveshjes së armëpushimit dhe tranzicionin drejt një qeverisjeje civile në Gaza.
Mbërritja e trupave britanike në Izrael ndodh ndërsa marrëveshja e armëpushimit është nën presion – Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të kushteve të saj.