Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thumbuar sërish vendet e NATO-s të cilat refuzuan ta ndihmojnë SHBA-në për të ofruar siguri në Ngushticën e Hormuzit.
Në një postim në Truth Social, ai ka ngritur pyetjen se çfarë do të ndodhte nëse SHBA-ja përfundon punën me Iranin, dhe ua lë në dorë vendeve të tjera që të ishin përgjegjëse për Ngushticën, të cilën siç ka thënë, SHBA-ja nuk e përdor.
“Pyes veten se çfarë do të ndodhte nëse do të ‘përfundonim’ atë që ka mbetur nga shteti terrorist iranian dhe do t’i linim vendet që e përdorin atë, të cilën ne nuk e përdorim, të ishin përgjegjëse për të ashtuquajturën ‘Ngushticë’? Kjo do t’i vinte në lëvizje disa nga ‘aleatët’ tanë të pandjeshëm, dhe atë shpejt!”, ka shkruar Trumpi.
Ai ka kritikuar edhe të martën aleatët e NATO-s, duke thënë se “kanë bërë një gabim të pamendë” dhe se SHBA-ja nuk ka nevojë për ndihmën e tyre.
Shtetet si Britania, Gjermania, Franca, Spanja dhe Greqia janë deklaruar kundër përfshirjes në çështjen e Ngushticës së Hormuzit, duke thënë se ajo nuk është çështje e NATO-s dhe po ashtu se nuk duan të tërhiqen në një luftë më të gjerë.
Mbyllja nga Irani e Ngushticës së Hormuzit për anijet e SHBA-së, Evropës dhe aleatëve të tyre, ka shkaktuar rritjen e vazhdueshme të çmimeve të derivateve të naftës.
Trumpi insiston që vendet aleate, kryesisht ato të NATO-s ta ndihmojnë SHBA-në t’i sigurojë anijet gjatë kalimit nëpët këtë ngushticë, nëpër të cilën rrjedh rreth një e pesta e naftës në botë.
Ndërkohë raportet thonë se vetë Irani është duke eksportuar vazhdimisht naftë. Rreth 90 anije iraniane raportohet të kenë kaluar nëpër ngushticë që kur ka nisur lufta SHBA-Izrael kundër Iranit, më 28 shkurt.




