Trumpi thotë se ky është “vetëm fillimi i tij” gjatë fjalimit në Kongresin Amerikan

Presidenti amerikan, Donald Trupmp, ka mbajtur të martën në mbrëmje një fjalim të gjatë në Capitol të SHBA-së të kontrolluar nga partia e tij Republikane, gjatë të cilit ka thënë se ky është vetëm fillimi i tij në mandatin e dytë si president.

Ai ka deklaruar se për 43 ditë ka arritur më shumë se sa kanë arritur shumica e administratave të tjera për një ose dy mandate, raporton BBC.

“Ne kemi arritur më shumë në 43 ditë sesa shumica e administratave kanë arritur në katër ose tetë vjet, dhe ne sapo kemi filluar”, ka deklaruar ai në fjalimin e tij të parë para Kongresit për mandatin e tij të dytë.

Trumpi ka theksuar atë që e quajti një ndryshim në disponimin kombëtar drejt “krenarisë” dhe “besimit”. Ai e ka krahasuar veten me George Washingtonin dhe mburrej për madhësinë e fitores së tij elektorale.

Ai ka përmendur një listë të gjatë arritjesh të prekshme, duke përfshirë qindra urdhra dhe veprime ekzekutive, ngrirjen e ndihmës së huaj, nivele më të ulëta të kalimit të paligjshëm të kufirit dhe tërheqje nga organizatat dhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Presidenti amerikan ka folur gjithashtu gjatë për ndalimin e sportistëve transgjinorë në sportet e grave dhe lëvizjet për të hequr “ideologjinë e zgjuar” nga shkollat dhe ushtria amerikane.

Ndërkohë, demokratët të cilët përbënin gjysmën e audiencës, qëndruan në heshtje teksa presidenti i fajësoi vazhdimisht ata, ish-presidentin Joe Biden dhe “të çmendurit e majtë radikalë” për të gjitha “sëmundjet e kombit”.

Disa prej tyre kanë reaguar duke mbajtur lart tabela të vogla të zeza me fjalët “e pavërtetë” dhe “gënjeshtra”.

Pas rreth gjysmë ore të paraqitjes së veprimeve të tij të para, Trumpi ka përmendur edhe detyrat që i duhen ende për të përmbushur. Kjo përbënte pjesën më të madhe të fjalimit që ka zgjatur më shumë se një orë e 40 minuta.

Ndërsa ai ka thënë se “optimizmi i biznesit të vogël” ishte rritur, ka fajësuar Bidenin për gjendjen aktuale të ekonomisë, duke përfshirë çmimet e larta të vezëve.

Ai ka premtuar “të shpëtojë” ekonominë dhe ta bëjë “lehtësimin dramatik dhe të menjëhershëm për familjet që punojnë” përparësinë e tij më të lartë.

Trumpi madje ka ftuar Elon Muskun në audiencë dhe ka thënë se Departamenti i tij i Efiçencës Qeveritare (Doge) do të reduktonte inflacionin duke ulur shpenzimet e kota dhe mashtrimet.

Trumpi ka përmendur po ashtu premtimet për përparim të mëtejshëm në zbatimin e imigracionit dhe la mbrojtur politikat e tij tarifore, duke thënë se ato po “mbronin shpirtin e vendit”, edhe nëse shumica e ekonomistëve paralajmërojnë se do të çojnë në çmime më të larta për konsumatorët amerikanë.