Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se armëpushimi mes Izraelit e Hamasit është ende në fuqi, vetëm disa orë pas luftimeve vrasëse në Gazë të dielën.
“Po është në fuqi”, tha Trump kur u pyet për armëpushimin në Gazë, raporton “BBC”.
Izraeli nisi sulmet në jug të Gazës të dielën, pasi ushtria tha se “terroristët kanë gjuajtur me raketa anti-tank dhe kanë shtënë” drejt trupave në Rafah, duke vrarë dy ushtarë.
Hamasi tha se “nuk është në dijeni” për ndonjë luftim në atë zonë që është nën kontrollin e Izraelit.
Deri në mbrëmjen e të dielës, Izraeli goditi dhjetëra caqe të Hamasit, ndërsa burime nga spitalet thonë se 44 persona u vranë.
Hamasi tha se është i përkushtuar ndaj armëpushimit, por akuzoi Izraelin për shkelje dhe paralajmëroi se sulmet mund “ta shtyjnë situatën drejt kolapsit total”.
Në mbrëmje të dielën Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se është kthyer në fuqi armëpushimi, por kanë shtuar se “do të reagojnë ashpër ndaj çdo dhune”.
E Trump u tha gazetarëve se lidershipi i Hamasit nuk është përfshirë në shkeljet e pretenduara dhe insistoi se ishin “disa rebelë nga brenda”.
“Do të trajtohet siç duhet. Do të trajtohet ashpër, por siç duhet”, tha Trump.
E Izraeli ka njoftuar se pikëkalimi në Rafah do të mbetet i mbyllur deri në një njoftim tjetër.
Ndërkohë këshilltari i Trumpit, Jared Kushner, që ka luajtur rol kyç në negociatat për armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit, ka thënë se grupi palestinez po vepron në mirëbesim ndërsa kërkon trupat e pajetë të 16 pengjeve izraelite që ende gjenden në Gazë.