Trumpi shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake në Iran

Presidenti amerikan, Donald Trump, po shqyrton disa opsione të mundshme ushtarake në Iran pas protestave vdekjeprurëse në këtë vend, kanë njoftuar dy zyrtarë amerikanë për CNN-in.

Sipas tyre, Trumpi u informua ditët e fundit mbi plane të ndryshme për ndërhyrje, pasi dhuna në vend ka çuar në dhjetëra vdekje dhe arrestime. Disa nga diskutimet kanë përfshirë edhe opsione që nuk përfshijnë forcën e drejtpërdrejtë ushtarake amerikane.

Zyrtarët amerikanë thanë se një numër opsionesh që i janë paraqitur presidentit janë përqendruar në shënjestrimin e shërbimeve të sigurisë së Teheranit që po përdoren për të shtypur protestat.

Megjithatë, brenda administratës ka shqetësime se sulmet ushtarake mund të kenë efekte të kundërta dhe të minojnë protestat.

Trumpi ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për ndërhyrjen. Opsionet që ai po shqyrton nuk përfshijnë dërgimin e trupave në terren në Iran, ka njoftuar për CNN-in një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë.

Të dhënat e publikuara nga Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA rreth 116 persona janë vratë që kur kanë shpërthyer protestat dy javë më parë.

“Irani po e sheh LIRINË, ndoshta si kurrë më parë. SHBA-ja është e gatshme ta ndihmojë”, ka shkruar Trumpi në rrjetet sociale të shtunën.

Të premten, Trump u tha gazetarëve se nëse Teherani do të përfshihej në dhunë vdekjeprurëse kundër protestuesve, SHBA-ja do “të përfshihej”.

“E kam bërë deklaratën shumë të fortë se nëse ata fillojnë të vrasin njerëz siç kanë bërë në të kaluarën, ne do të përfshihemi. Dhe kjo nuk do të thotë të vrasim me forcë, por do të thotë t’i godasim shumë, shumë fort aty ku dhemb”, është shprehur ai.