Trumpi shpreson që faza e dytë e armëpushimit në Gazë të arrihet “shumë shpejt”

Donald Trump ka thënë se shpreson që faza e dytë e planit të paqes në Gazë të arrihet “shumë shpejt”, teksa ka paralajmëruar Hamasin se “do ta paguajë shtrenjtë” nëse nuk çarmatoset.

Presidenti amerikan, plani 20-pikësh i të cilit kërkon çarmatosjen e grupit terrorist, i bëri komentet të hënën në mbrëmje pas takimit me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Florida.

Gjatë konferencës për media, Trumpi ka thënë se Izraeli i është përmbajtur “100 për qind planit”, edhe pse ka vazhduar me sulmet në Gazë.

“Sa më shpejt që të mundemi. Por duhet të ketë çarmatim”, u përgjigj Trump kur u pyet në konferencë se kur duhet që Izraeli dhe Hamasi të kalojnë në fazën e dytë të planit të paqes. “Nëse ata nuk çarmatosen, siç janë dakorduar, do ta paguajnë shtrenjtë. Duhet të çarmatosen brenda një kohe të shkurtër”.

Trumpi po ashtu ka shtuar se rindërtimi në Gaza “do të nisë shumë shpejt”.

Plani i paqes në Gaza hyri në fuqi në tetor. Nën fazën e dytë pritet vendosja e një qeverie teknokratike në territorin e shkatërruar, çarmatosja e Hamasit dhe tërheqja e trupave izraelite. Pastaj do të nisë rindërtimi. Përderisa Netanyahu po akuzohet se po zvarrit planin duke pritur çarmatosjen e Hamasit, militantët e kësaj organizate kanë thënë se çarmatimi i plotë do të ndodhë krahas përparimit drejt shtetit të pavarur palestinez.

Presidenti amerikan ka shtuar se shteti i tij mund ta përkrahë një sulm të ri të madh në Iran, po që se vazhdohet me rindërtimin e programeve bërthamore.