Trumpi godet tetë shtete aleate me tarifa për shkak të Grenlandës

President Donald Trump speaks to reporters aboard Air Force One as he travels from Tokyo, Japan, to South Korea, Wednesday, Oct. 29, 2025. (AP Photo/Mark Schiefelbein)

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të shtunën se do t’u vendosë tarifë 10 për qind shteteve aleate evropiane që kanë kundërshtuar pronësinë amerikane të Grenlandës dhe që kanë dislokuar trupa në ishullin nën pronësi të Danimarkës.

Në një shkrim në “Truth Social”, Trump ka thënë se “Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda janë nisur drejt Grenlandës, për qëllime të panjohura”.

“Kjo është situatë shumë e rrezikshme për sigurinë dhe mbijetesën e planetit tonë”, ka shtuar ai.

Presidenti amerikan ka thënë se tarifa 10 për qind do të vlejë në të gjitha mallrat që eksportohen drejt SHBA-së. Kjo shifër do të rritet në 25 për qind më 1 qershor nëse nuk arrihet një marrëveshje finale.

“Tarifa do të jetë në fuqi deri kur të arrihet një marrëveshje për blerjen e plotë të Grenlandës”, ka shtuar Trumpi.

Presidenti amerikan ka përsëritur deklaratën se edhe “Kina e Rusia e duan Grenlandën” duke shtuar se “Danimarka s’mund t’u bëjë asgjë”.

Ai ka thënë se do ta përdorë tarifën për të detyruar Danimarkën dhe shtetet e tjera të diskutojnë mbi statusin e Grenlandës, territor gjysmautonom i Danimarkës aleate të NATO-s, që ai e konsideron kritik për sigurinë kombëtare amerikane.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të hapura për të negociuar me Danimarkën dhe/ose këdo nga këto shtete që kanë rrezikuar kaq shumë, pavarësisht asaj që kemi bërë ne për ta”, ka thënë tutje Trumpi.

Për kryeministrin britanik, Keir Starmer, njoftimi i Trumpit ka qenë “plotësisht i gabuar”. Ai ka përsëritur se shteti i tij ruan qëndrimin se Grenlanda është pjesë e Danimarkës.

Edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, ka kundërshtuar Trumpin duke e cilësuar madje si të barabartë me kërcënimin që vjen edhe prej liderit rus, Vladimir Putin, me luftën në Ukrainë.

“Asnjë kërcënim nuk na ndikon, qoftë në Ukrainë, qoftë në Grenlandë apo kudo tjetër në botë kur ne përballemi me situata të tilla”, ka shkruar Macron në X. “Kërcënimet me tarifa janë të papranueshme dhe nuk kanë vend në këtë kontekst”.

Ndërkohë gjatë të shtunës, me mijëra qytetarë marshuan të shtunën nëpër rrugë të Kopenhagës, në protestën kundër synimeve të presidentit Trump, për ta vënë ishullin e Grenlandës në kontroll të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tek marshuan drejt objektit të Ambasadës amerikane në kryeqytetin e Danimarkës, protestuesit bartën në duar pankarta në të cilat shkruante: “Bëjeni Amerikën të mençur sërish” dhe “Duart larg”.

Tubime të tjera u planifikuan edhe në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, si dhe në zona të tjera të Mbretërisë së Danimarkës.

Protestat u mbajtën në ditën kur delegacioni i Kongresit amerikan, që qëndroi për vizitë në rajon, ka shprehur mbështetje për Danimarkën e Grenlandën.

Senatori demokrat, Chris Coons, ka thënë se synimi i delegacionit është ulja e tensioneve.

“Shpresoj që populli i Mbretërisë së Danimarkës të mos humbasë besimin te populli amerikan, sepse SHBA-ja i respekton Danimarkën dhe NATO-n për bashkëpunimin e gjatë mes tyre”, ka deklaruar ai.

Presidenti amerikan pati paralajmëruar se në funksion të marrjes së Grenlandës mund të përdorë edhe fuqinë ushtarake. Por udhëheqësi i Komandës së Përbashkët në Arktik, gjeneralmajori danez, Soren Ansersen, ka thënë se nuk pret që ushtria amerikane ta sulmojë Grenlandën apo ndonjë aleat tjetër në NATO, teksa ka përmendur vendosjen e trupave evropiane në Nuuk për stërvitje të mbrojtjes.

“Qëllimi nuk është të dërgojmë një mesazh për administratën e Trumpit, edhe pse Shtëpia e Bardhë nuk ka përjashtuar mundësinë e përdorimit të forcës për territorin. Nuk do të hyj në pjesën politike, por mund të them se nuk do të prisja kurrë që një vend i NATO-s të sulmojë një tjetër vend të NATO-s. Për ne, nuk është çështje sinjali politik. Bëhet fjalë për stërvitje të njësive ushtarake dhe bashkëpunim me aleatët”, është shprehur ai.

Ushtria daneze ka organizuar të premten takim në Grenlandë me aleatët e NATO-s, përfshirë SHBA-në, për të diskutuar mbi sigurinë në Arktik, në frontin verior të aleancës, përballë një kërcënimi të mundshëm nga Rusia.