Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka ftuar presidentin e Kolumbisë, Gustavo Petro, në Shtëpinë e Bardhë, vetëm pak ditë pasi e kishte akuzuar për trafik kokaine dhe kishte kërcënuar me ndërhyrje ushtarake kundër qeverisë së tij.
Ftesa erdhi pas një telefonate njëorëshe mes dy liderëve, gjatë së cilës u diskutua çështja e trafikut të drogës dhe mosmarrëveshje të tjera dypalëshe, raporton Aljazeera, transmeton Klankosova.tv.
Trump deklaroi se e vlerësoi telefonatën dhe tonin e Petros, duke shtuar se po bëhen përgatitje për një takim në Uashington.
Petro, konfirmoi se pas bisedës kishte nisur një proces zbutjeje të tensioneve. Duke iu drejtuar protestuesve në Bogota, ai tha se dialogu kishte shmangur përshkallëzimin e krizës dhe se i kishte paraqitur Trumpit të dhënat e Kolumbisë për luftën kundër trafikut të drogës.
Marrëdhëniet mes dy vendeve ishin përkeqësuar pas kërcënimeve të Trumpit për një operacion ushtarak në Kolumbi, në kuadër të krizës rajonale të shkaktuar nga ndërhyrja amerikane në Venezuelë. Petro kishte reaguar duke bërë thirrje për protesta në mbrojtje të sovranitetit kombëtar.
Pavarësisht përplasjeve politike, Shtetet e Bashkuara mbeten një partner strategjik për Kolumbinë në luftën kundër narkotikëve dhe grupeve të armatosura, ndërsa bashkëpunimi mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe inteligjencës po vazhdon.




