Trumpi falënderon Putinin dhe Xi-në pas nënshkrimit të marrëveshjes me Iranin

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të mërkurën i ka përshkruar presidentin kinez, Xi Jinping, dhe presidentin rus, Vladimir Putin, si “neutralë” gjatë luftës me Iranin, duke thënë se ata nuk i kishin penguar përpjekjet e tij për të kufizuar ambiciet bërthamore të Teheranit.

“Dua vetëm t’i falënderoj, sepse e bënë situatën shumë më të mirë”, ka thënë Trumpi pas miratimit të një marrëveshjeje fillestare me Iranin.

Duke folur në një konferencë për shtyp gjatë samitit të G7-s në Evian-les-Bains të Francës, Trumpi u ka thënë gazetarëve se ishte mirënjohës ndaj këtyre liderëve që kishin qëndruar jashtë konfliktit.

“Dua ta falënderoj Kinën, presidentin Xi. Kam qenë në kontakt me të dhe ai qëndroi neutral, plotësisht neutral, dhe unë e vlerësoj këtë”, është shprehur Trumpi.

“Dhe dua ta falënderoj Vladimir Putinin, ai ishte shumë neutral. Ata mund ta kishin bërë situatën shumë më të vështirë për ne”, ka shtuar presidenti amerikan.

Komentet e Trumpit ishin në kontrast me qëndrimin e tij ndaj aleatëve amerikanë, nga Japonia deri në Evropë, të cilët ai i ka kritikuar se nuk kanë ndihmuar në operacionin ushtarak ose në përpjekjet pasuese për të hapur Ngushticën e Hormuzit, rrugën detare tregtare që ishte bllokuar nga Irani.

Moska dhe Pekini mbajnë lidhje të ngushta me Teheranin. Rusia ka paralajmëruar se lufta mund të çojë në një garë armësh bërthamore në Lindjen e Mesme.

Nga ana tjetër, Kina ka dënuar sulmet e Uashingtonit ndaj Teheranit si një shkelje të hapur të sovranitetit të Iranit.

Sipas personave të njohur me çështjen, zyrtarët amerikanë të inteligjencës vlerësojnë se Pekini e ka furnizuar Teheranin me mallra që mund të përdoren për qëllime ushtarake.

Rafineritë private kineze të naftës kanë qenë blerësit kryesorë të naftës iraniane gjatë konfliktit, duke sfiduar sanksionet amerikane.

Megjithatë, Trumpi ka thënë se Xi kishte ndihmuar në zgjidhjen e konfliktit dhe kishte shmangur dërgimin e “armatimeve të rënda” ose raketave tokë-ajër.

“Ata mund të kishin dërguar një cisternë nafte të shoqëruar nga gjashtë shkatërrues, tre në secilën anë. Nuk e bënë këtë”, ka thënë Trumpi.

“Presidenti Xi më ndihmoi. Ai u përpoq të ndihmonte dhe mendoj se ndoshta ka ndihmuar që kjo çështje të zgjidhet”, ka shtuar.

Në një deklaratë, një zëdhënës i ambasadës së Kinës në Uashington ka thënë se pozicioni i Pekinit ka qenë “i qëndrueshëm” dhe se Kina ka qenë “duke punuar pa pushim për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të arritur paqen.”