Trumpi e lidh autizmin me konsum të paracetamolit gjatë shtatzënisë, alarmohen mjekët

PALM BEACH, FLORIDA - AUGUST 08: Republican presidential candidate former President Donald Trump speaks during a press conference at Mr. Trump's Mar-a-Lago estate on August 08, 2024, in Palm Beach, Florida. Polls currently show a close race between Trump and Democratic presidential candidate, U.S. Vice President Kamala Harris. (Photo by Joe Raedle/Getty Images)

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar se Administrata e Ilaçeve në SHBA (FDA) do t’i njoftojë mjekët se përdorimi i ilaçit Tylenol (në Evropë njihet si paracetamol) gjatë shtatzënisë mund të lidhet me “rritjen e madhe të rrezikut për autizëm”, pavarësisht dekadave të tëra të dëshmive se bëhet fjalë për bar të sigurt.

“Ka rekomandime të fuqishme se gratë duhet të kufizojnë përdorimin e Tylenolit gjatë shtatzënisë, pos në rastet e domosdoshme” për të trajtuar “temperaturën që nuk mund ta hiqni ndryshe”, ka thënë Trumpi.

Ekspertët thonë megjithatë se ka shumë shkaktarë të autizmit dhe shkenca nuk e ka dëshmuar deri tash ndonjë lidhje në mes të autizmit dhe Tylenolit. Pa trajtim, ethet dhe temperatura mund të jenë të rrezikshme për fetusin, por edhe gruan shtatzënë. Rreziku përfshin humbjen e foshnjës, defekte në lindje e presion të lartë të gjakut.

Në një moment gjatë shtatzënisë, shumica e njerëzve përdorin acetaminophen në SHBA, apo që në Evropë njihet si paracetamol. Bëhet fjalë për terapi që konsiderohet më e sigurta për të përballuar dhimbjet apo ethet a temperaturën për shtatzënat.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë të hënën vonë, krah sekretarit të Shëndetësisë, Robert F. Kennedy Jr., komisionerit të Administratës së Ushqimit dhe Barnave, Marty Makary, dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shëndetësorë, Trump ka përmendur Tylenolin (acetaminopheni shitet nën këtë emër) si bar që duhet të mos merret gjatë shtatzënisë. Ai ka thënë se edhe vaksinimi i fëmijëve kundër hepatitit B të shtyhet në moshën 12-vjeçare.

“Është shumë likuid, shumë gjëra të ndryshme po shkojnë te foshnja juaj”, ka thënë Trumpi pa ofruar dëshmi.

Hulumtime të shumta kanë treguar se nuk ka ndërlidhje në mes të vaksinimit dhe autizmit.

Trumpi e ka falënderuar Kennedyn për sjelljen e autizmit “si prioritet kryesor të politikës amerikane”.

Pavarësisht thirrjeve të Trumpit për të mos marrë këtë bar, deklaratat e Kennedyt ishin më të matura. Ai ka thënë se së shpejti do të lëshohet një fushatë kombëtare në SHBA për t’i informuar familjet për mbrojtje të shëndetit publik dhe rreziqet për përdorim të Tylenolit gjatë shtatzënisë. Sipas tij, agjencia shëndetësore do t’i inkurajojë mjekët që të përdorin barin me dozë shumë më të ulët “me kohëzgjatje më të shkurtër, dhe vetëm kur kërkohet trajtim”.

FDA-ja ka thënë se tani do ta nisë procesin e ndryshimit të etiketave të sigurisë mbi produktet e acetaminophenit dhe se shkencëtarët do t’ua lejojnë njerëzve që të zgjedhin vetë përdorimin e Tylenolit.

E prodhuesit e barit kanë thënë menjëherë se “kundërshtojnë fuqishëm” pretendimin se përdorimi i acetaminophenit shkakton autizmin. “Kenvue”, kompania që prodhon Tylenolin në SHBA, ka thënë se “është tejet e shqetësuar për konfuzionin që ky pretendim mund të shkaktojë te gratë shtatzëna dhe prindërit”.

Fondacioni i Shkencës për Autizmin ka thënë se “është thellësisht i shqetësuar” për deklaratat e Trumpit. Ato i cilësoi të rrezikshme.

“Nuk jemi të sigurt se përse ky njoftim doli sot e si erdhi te konkluzat”, ka thënë nëpërmjet një deklarate me shkrim Alison Singer, presidente e grupit. “Nuk ka asnjë studim të ri shkencor apo të dhëna të prezantuara. Asnjë studim i ri nuk është publikuar. Nuk ka prezantim të ri për këtë temë në konferenca mjekësore a shkencore. Përkundrazi, presidenti Trump foli se çka mendon dhe si ndihet pa ofruar dëshmi specifike shkencore. Ai tha ‘hidheni’ duke nënkuptuar të mos e merrni Tylenolin apo t’ia jepni fëmijës. Kjo më ktheu në kohën kur nënat fajësoheshin për autizmin. Nëse nuk mund të përballoni dhimbjen apo të merreni me temperaturën/ethet, atëherë është faji juaj që fëmija ka autizëm. Është shokuese. Thjesht shokuese”.

Çka thotë shkenca?

Shkenca deri tash nuk ka gjetur lidhje mes Tylenolit dhe autizmit. Një studim i madh i kryer më 2024 në Suedi, i publikuar në JAMA, e në të cilin ishin përfshirë më shumë se dy milionë fëmijë – nuk ka gjetur lidhje në mes të marrjes së acetaminophenit gjatë shtatzënisë dhe autizmit, çrregullimit të hiperaktivitetit të mungesës së vëmendjes ose çrregullime të tjera neurozhvillimore.

Në gusht, një studim i madh i BMC Environmental Health analizoi 46 studime për përdorimin e acetaminophenit gjatë shtatzënisë. Gjashtë nga këto studime ishin marrë specifikisht me lidhjen mes autizmit dhe acetaminophenit. Studimi kishte gjetur se “ka lidhje të fuqishme” në mes të përdorimit të barit dhe autizmit, por autorët kishin treguar kujdes duke thënë se hulumtimi nuk mund të tregojë se acetaminopheni shkakton autizmin.

Dr. Steven J. Fleischman, president i Kolegjit Amerikan të Obstetërve dhe Gjinekologëve, ka thënë se njoftimi ishte i papërgjegjshëm.

“Njoftimi i sotëm nuk mbështetet në asnjë dëshmi të plotë shkencore dhe thjeshton në mënyrë të rrezikshme shkaqet e shumta dhe komplekse të sfidave neurologjike te fëmijët”, ka thënë Fleischman.

FDA-ja miraton ilaçin për trajtim të autizmit

FDA-ja ka thënë po ashtu se e ka miratuar leucovorinin – dozë e lartë e acidit folinik të kacliumit që përdoret zakonisht për t’i trajtuar pacientët me kancer gjatë kimioterapisë – për trajtimin e autizmit te fëmijët. Është trajtimi “i parë i njohur nga FDA-ja për autizmin”.

FDA-ja ka thënë se po e tërheq edhe miratimin për Wellocovorin, version i leucovorinit.

Disa studime kanë dëshmuar një lidhje mes autizmit dhe niveleve të ulëta të folatit në tru, vitaminë B e gjetur në shumë ushqime të gjelbra dhe vezë. Por duhen studime më konkrete. Trupit i nevojitet folati për të prodhuar më shumë qeliza të kuqe të gjakut. Gjatë shtatzënisë është i nevojshëm për rritjen dhe zhvillimin e fetusit dhe mund të parandalojë defektet gjatë lindjes.

Trupi nuk mund të krijojë rezervuar të folatit të natyrshëm, prandaj një formë sintetike e acidit folik i shtohet ushqimeve të ndryshme.

Doktorët po ashtu rekomandojnë që të gjitha gratë që mbesin shtatzënë të marrin deri 400 mikrogramë të acidit folik për çdo ditë.

Ka pak studime që testojnë leucovorinin te fëmijët me autizëm, por disa ekspertë mendojnë se është premtues.

Dr. Richard Frye, neurolog për fëmijë në Phoenix të Arizonës, i cili bashkëthemeloi organizatën “Autism Discovery and Treatmant Foundation”, ka thënë se në studimin e tij të parë me 93 fëmijë me autizëm që u testuan për antitrupa që mund të parandalonin folatin nga mbërritja te truri, rreth tri e katërta i kishin. Një e treta e fëmijëve që testuan pozitivë për këso antitrupa, patën përmirësim nga marrja e leucovorinit, sipas tij. “Gjuha e tyre u përmirësua. Komunikimi i tyre verbal po ashtu”, ka thënë ai.

Ekspertët thonë se teoria që këta antitrupa mund të luajnë rol në simptoma të autizmit është interesant, por se shkenca është ende në fazat fillestare.

Shkalla në rritje e autizmit

Të hënën, Trumpi e quajti autizmin “krizë të tmerrshme” dhe tha se rritja e rasteve me të në vitet e fundit “ka qenë zhvillimi më alarmues në histori”. Sipas tij, shkencëtarët duhet të lëvizin shpejt për të gjetur shkaktarët e autizmit, dhe Kennedy ka thënë se të gjitha agjencitë nën patronazhin e tij do të hulumtojnë për çështjen.

Numri i njerëzve të diagnostikuar me autizëm në SHBA është rritur. Rreth një në 31 fëmijë është diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit deri në moshën 8-vjeçare deri më 2022. E kjo ishte dallim nga shifra prej 1 në 36 fëmijë sa ishte më 2020, sipas të dhënave zyrtare. E më 2015, një në 68 fëmijë ishte me autizëm